
Edmond Spaho: Nuk mund të mbështesim Nanon.
“Topi i vendosi vetë raportet me PD më 21 janar dhe në zgjedhjet e 8 majit”
Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe deputet i PD-së, thotë se kryeparlamentarja Topalli i ka të gjitha mundësitë dhe mbështetjen për t’u zgjedhur Presidente e vendit në muajin korrik.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se do të jetë forca kryesore e maxhorancës ajo që do të zgjedhë kreun e ri të shtetit, ndërkohë që përjashton mundësinë që PD-ja të mbështesë ish-kryeministrin e socialistëve, Fatos Nano. “Zoti Nano, pavarësisht se është një politikan me eksperiencë, për arsye që dihen, nuk mund të mbështetët nga PD dhe aq më pak të jetë kandidat i saj për postin e Presidentit”, shprehet Spaho. Lidhur me debatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, deputeti demokrat thotë se ai do të zgjidhet vetëm pas raundit të tretë, ku sipas ligjit themeltar duhen 71 vota. I pyetur nëse Bamir Topi e ka ende të hapur derën në Partinë Demokratike, Spaho thekson: “Më duket se Presidenti i ka dhënë përgjigje vetë me raportet që ka krijuar me PD-në gjatë ushtrimit të mandatit të tij, me qëndrimin që mbajti gjatë sulmit të armatosur të opozitës ndaj Kryeministrisë në datën 21 janar, si dhe me votimin për z.Rama në datën 8 maj 2011”. Për sa u përket ndryshimeve në kabinetin qeveritar, pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s, Edmond Spaho thotë se kjo është një prerogativë e Kryeministrit, teksa shton se kjo qeveri deri tani ka shënuar arritje të rëndësishme veçanërisht në fushën e ekonomisë. Anëtari i kryesisë së PD-së flet edhe për arsyet përse janë votuar zgjedhjet në disa nga forumet e kësaj partie.
Zoti Spaho, në vitin 2012, përpara se të zhvillohen ceremonitë për 100-vjetorin e pavarësisë, do të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Aktualisht ka një propozim që ai të zgjidhet nga populli, çka do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës. Si e vlerësoni ju këtë variant?
Presidenti do të zgjidhet nga Parlamenti pas raundit të tretë të votimit me shumicë të thjeshtë votash. Kur u vendos për këtë opsion, u paraqitën të gjitha argumentet në favor, u mbështet nga PD dhe PS, si dhe u votua nga rreth 130 deputete ne Parlament. Në këto kushte, të kërkosh ndërrimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit sa herë afron koha e zgjedhjes së tij dhe pa u provuar ajo çka vendosëm në vitin 2008, do të thotë të veprosh sipas interesave të ngushta të opozitës ose individëve të veçantë.
Gjatë muajit dhjetor veçanërisht, Kryeministri Berisha ka sulmuar disa herë Presidentin Topi se e ka kthyer Presidencën në selinë e një partiçke të vogël. Maxhoranca nuk do ta mbështesë kandidimin e tij në muajin korrik. Mendoni se Topi e ka derën e mbyllur në PD?
Veçanërisht vitin e fundit Presidenca është sjellë si parti politike. Kjo e ka dëmtuar seriozisht statusin e këtij institucioni. Për më tepër drejtues të rëndësishëm të institucioneve të cilat varen nga Presidenti, janë angazhuar në aktivitete intensive politike, pavarësisht se ligji nuk i lejon. Është e drejta e tyre të merren me aktivitete politike, por kjo duhet të bëhet pas përfundimit të mandatit ose të jepet dorëheqje nga postet e marra dhe të vazhdohet me politikë. Për sa i takon pyetjes suaj, më duket se Presidenti i ka dhënë përgjigje vetë me raportet që ka krijuar me PD-në gjatë ushtrimit të mandatit të tij, me qëndrimin që mbajti gjatë sulmit të armatosur të opozitës ndaj Kryeministrisë në datën 21 janar, si dhe me votimin për z. Rama në datën 8 Maj 2011.
Prej disa kohësh janë duke qarkulluar emrat e Jozefina Topallit dhe Fatos Nanos si kandidatë për postin e Presidentit. Si i vlerësoni ju këta dy kandidatë? A duhet që PD-ja të mbështesë një prej figurave të saj, apo të tentojë të marrë vota nga opozita duke kandiduar ish-kryeministrin socialist?

Qëndrimi i PD në lidhje me zgjedhjen e Presidentit është mjaft i qartë, do të zgjidhet sipas Kushtetutës. PD-ja do të ketë kandidatin e saj, i cili do të jetë një nga drejtuesit e saj, por në këtë fazë nuk do të diskutohen emra, pasi nuk ka përfunduar mandati i presidentit aktual. PD ka shumë personalitete, të cilat mund të zgjidhen në këtë post. Mendimi im është që President duhet të zgjidhet një politikan karriere me kontribute dhe eksperiencë të madhe në politikë. Në këtë kuptim, zonja Topalli i ka të gjitha mundësitë dhe mbështetjen për t’u zgjedhur në këtë post. Zoti Nano, pavarësisht se është një politikan me eksperiencë, për arsye që dihen, nuk mund të mbështetët nga PD dhe aq më pak të jetë kandidat i saj për postin e Presidentit.
Zoti Spaho, qeveria e koalicionit PD-LSI është në vitin e tretë të këtij mandati katërvjeçar. Në vlerësimin tuaj, a i ka realizuar ky koalicion premtimet e bëra në vitin 2009, apo ka nevojë për rifreskim? Është ky kabineti që duhet të kërkojë një mandat të tretë për PD?
Koalicioni i PD me LSI është më se i suksesshëm. Që prej një viti, qytetarët shqiptarë qarkullojnë pa viza në të gjithë hapësirën europiane, duke u ndier të lirë dhe me dinjitet në familjen e madhe të kombeve. Që nga viti 2009 Shqipëria ia ka dalë të përballojë me sukses presionet e krizës ekonomike dhe financiare botërore. Për çdo vit jemi rritur me më shumë se 3% të prodhimit të brendshëm, gjë të cilën pak vende mund ta pretendojnë. Rritje të konsiderueshme kanë pasur sektorë të tillë, si eksportet, bujqësia, turizmi, industria e lehtë, minierat dhe energjia. Sektori bankar gëzon stabilitet të kënaqshëm, kurse investimet e huaja pothuaj janë dyfishuar prej vitit 2009. Për çdo vit janë rritur pagat dhe pensionet, gjë që nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Reforma të rëndësishme janë kryer në privatizim, sektorët ekonomikë e financiarë dhe në ata rregullatorë, duke e renditur Shqipërinë midis vendeve me lirinë më të madhe të tregut. Ndryshime të dukshme janë realizuar në infrastrukturën e vendit. Suksesi i këtij koalicioni u tregua në zgjedhjet e majit të vitit 2011, në të cilat mori 140 mijë vota më shumë se opozita e majtë. Të mos harrojmë që gjithçka është arritur në kushtet e përballjes me një opozitë të ashpër dhe nga rruga. Me rikthimin e opozitës në Parlament, besoj se do të miratohen ligjet me 3/5-at për të mundësuar marrjen e statusit të vendit kandidat gjatë 6- mujorit të parë të këtij viti. Koalicioni i PD me LSI dhe parti të tjera është më i gjerë se kabineti qeverisës, pavarësisht rolit shumë të madh të kabinetit. Zgjedhësve do u drejtohet koalicioni për të kërkuar votën në vitin 2013. Ndryshimet në kabinet janë prerogativë e Kryeministrit dhe ai ka qenë mjaft i qartë në lidhje me këtë.
Partia Demokratike i ka filluar në vitin 2009 zgjedhjet për ripërtëritjen e forumeve drejtuese, ku ka zgjedhur kryetarin, Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë, por ende nuk i ka përfunduar, për shkak se nuk janë zgjedhur nënkryetarët dhe sekretariati. Përse gjithë kjo vonesë kati trevjeçare?
Ka pasur një farë vonese gjatë procesit të zgjedhjeve të disa strukturave drejtuese të PD-së, e diktuar nga zhvillimet politike brenda vendit. Besoj së shpejti do të përfundojë zgjedhja e drejtuesve për të cilët ju bëni fjalë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











