Edi Rama uron Vitin e Ri me një kartolinë nudo

Dec 27, 2011 | 11:49
Kartolina online e Edi Ramës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, publikoi dje kartolinën e Vitit të Ri 2012 në blog-un e tij në internet, duke u uruar të gjithë miqve “Gëzuar”. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Rama ka preferuar të dërgojë kartolina në çdo zyrë, redaksi apo derë qytetarësh, këtë vit Rama ka zgjedhur një portret gruaje gjysmë të veshur, e cila ka nxjerrë kurrizin dhe fundshpinën zbuluar deri në detaje. Portreti është vepër artistike e amerikanit Man Ray, e realizuar në vitin 1924 dhe mban emrin “Le violon d’Ingres”. Si një artist që është, Rama me këtë gjetje, një nudo e vitit 1924, revolucion për atë epokë, duket se ka dashur të imponojë shijet e tij artistike, por dhe ndoshta të provokojë një debat, që shpesh politika e bën pjesë të vetën, në ditët e fundit të këtij viti, i cili nisi vrullshëm politikisht dhe po përfundon më qetë se ç’pritej. Një vit më parë, Rama, kryetar i Bashkisë së Tiranës, disa muaj para garës elektorale për mandatin e katërt në këtë Bashki, shpërndau një kartolinë që kishte lidhje me sheshin e Tiranës, një pamje ideale e sheshit kryesor të vendit: “Ju uroj një Vit të Ri shpresash e ëndrrash të realizuar!”, ishte urimi i firmosur nga Edi Rama. Kartolina tregonte një kompozim të sheshit “Skënderbej”, pas rikonstruksionit, me të rinj dhe fëmijë që luanin në lulishten e gjelbëruar pas monumentit të Skënderbeut.

Asnjë aktivitet festiv në PS
Partia Socialiste ende nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet festiv me rastin e festave të fundvitit, as me administratën, por as me mediat, pritje që zhvillohen zakonisht ditët e fundit të vitit. Por në fakt Rama ka nisur një tur ngushëllimesh në familjet e viktimave të 21 janarit. Ai ka zhvilluar me bashkëshorten e tij vizita përkujtimore në familjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

© Panorama.al

Te lidhura