
Kreu socialist, Edi Rama, drekoi dje në mesditë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Jo fare rastësisht, restoranti i zgjedhur nga organizatori ishte përballë pallatit ku banon Kryeministri Berisha. Në bar-restorantin luksoz “Diesel Hall”, Rama dhe Arvizu kanë qëndruar rreth tri orë, duke biseduar me njëri-tjetrin. I pari ka mbërritur kreu socialist, Edi Rama, i pasuar disa minuta më vonë nga ambasadori Arvizu, që ishte i shoqëruar nga një zyrtare e Ambasadës Amerikane. Ndërkaq, Kryeministri Berisha gjatë kohës së drekës, për koincidencë, ka qenë në vilën qeveritare nr.30 përballë Kryesisë së Kuvendit.
Asnjë njoftim nuk pati nga selia rozë apo Ambasada Amerikane rreth temave të diskutuara gjatë këtij takimi informal mes kreut të PS-së dhe kryediplomatit amerikan në Tiranë. Edhe pse i pikasur nga mediat, në përfundim të drekës, ambasadori nuk dha asnjë deklaratë. Po ashtu dhe kreu socialist, i cili u largua nga restoranti disa minuta më vonë. Në debatin e ditëve të fundit rreth Presidentit të ri dhe mënyrës së zgjedhjes së tij, vetëm ambasadori Arvizu nuk ka shprehur asnjë qëndrim, ndërkohë ambasadorët europianë në Tiranë kanë kërkuar një President konsensual. Edhe dje Arvizu nuk u shpreh për modelin e Presidentit të ri. Ndërsa dje në mbrëmje, kreu socialist ka pasur një darkë me kryetarët e bashkive socialiste në të gjithë vendin. Darka u zhvillua në qytetin e Durrësit, ndërsa temat e diskutuara në të kanë qenë 15 dhe 21 janari, por edhe referendumi i plehrave.











