“Edhe brenda PS-së ka një opozitë morale”‘- Ermal Hasimja: Janë kritikë të qeverisë, por votojnë nga halli

Nov 19, 2025 | 22:53

Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar situatën politike në vend, duke theksuar se përveç opozitës zyrtare ekziston një “opozitë morale” shumë më e gjerë, e cila gjendet në shoqëri.

ermal hasimja

Hasimja u shpreh se opozita juridike përfaqësohet nga subjektet politike të regjistruara, ndërsa opozita morale përbëhet nga një numër i madh qytetarësh që nuk marrin pjesë në votime, pavarësisht standardeve të larta morale që pretendojnë. “Janë shumë që thonë ‘kë të votoj?’ dhe qëndrojnë jashtë procesit. Në fakt, kjo opozitë morale është shumë më e madhe se opozita juridike,” tha ai.

Sipas politologut, ky pakënaqësim shtrihet edhe brenda Partisë Socialiste. “Ka edhe socialistë që nuk janë të kënaqur. Thonë ‘më mirë t’ia japim këtij prej hallit’, por në thelb janë kritikë ndaj mënyrës si qeveriset,” u shpreh Hasimja.

Duke analizuar zgjedhjet në pesë bashkitë ku u votua së fundmi, ai vuri në dukje se Partia Demokratike nuk u angazhua mjaftueshëm, ndërsa pjesëmarrja e elektoratit socialist ishte jashtëzakonisht e ulët. “Nuk ishte as 1/3 e votuesve socialistë. Ata dalin kur tremben, por pjesëmarrja e ulët tregon se opozita morale nuk ka vdekur dhe reagojnë sa herë shohin se vendi vidhet e grabitet,” tha Hasimja, duke shtuar se pikërisht këtë grup duhej të mobilizonte opozita politike.

© Panorama.al

Te lidhura