E zhdukur 1 muaj, korçarja gjendet e vrarë në Selanik

Jan 26, 2012 | 13:25

Kristiana Miçani pak vite më parë (foto familjare)

Jetonte me të atin e motrën në Greqi. Vrasja me sëpatë

Kristiana Miçani, 16 vjeç u zbulua pas masakrimit bashkë me shokun e saj grek, 15-vjeçar

Skena e një krimi rrëqethës është zbuluar në shtetin grek, ku trupat e dy adoleshentëve janë zbuluar në një prej zonave në afërsi të qytetit të Selanikut. Trupat e pajetë të një 16–vjeçareje shqiptare dhe një 15-vjeçari grek janë gjetur të masakruar dhe dekompozuar në zonën e Lagadhas.
Pas analizave laboratorike të kryera me dy kufomat përmes ADN-së, është përcaktuar edhe identiteti i tyre. Viktimat janë Kristiana Miçani, 16 vjeçe, nga fshati Drenovë i Korçës, ndërsa djali 15 vjeç, nga Xanthi i Greqisë, por familjet e tyre jetonin pranë në një lagje të Selanikut. Dy adoleshentët prej pak kohësh shoqëroheshin me njëri-tjetrin dhe mendohet se mes tyre kishte nisur edhe një lidhje intime, por kjo e fundit nuk gëzonte aprovimin nga familjet e të rinjve. Duket se pavarësisht imponimit të familjeve për ta ndërprerë këtë marrëdhënie, dy të rinjtë shoqëroheshin ende me njëri-tjetrin. Prej një muaji ata rezultonin të zhdukur prej familjeve të tyre, ndërkohë që kërkoheshin nga policia greke. Trupat e të rinjve janë zbuluar në mënyrë rastësore mbrëmjen e së martës nga një banor i zonës, në pyll, pranë një lumi. Pasi ka konstatuar pjesën e mbetur nga dy trupat, ai njoftoi policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe kreu hetimet e rastit. Përveç rrethimit të zonës, policia ka kërkuar edhe prova të tjera, të cilat do të çonin në zbulimin dhe identifikimin e personit përgjegjës për këtë krim. Pas hetimeve, autopsia e dy trupave të kompozuar ka zbuluar se dy të rinjtë kanë vdekur pasi janë goditur egërsisht. Referuar rezultateve, goditjet kanë qenë të shumëfishta ndaj dy të rinjve, duke u shkaktuar atyre dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Mjeku ligjor konstatoi se adoleshentët ishin goditur në kokë dhe gjoks me një mjet të fortë, ku dyshimet kryesore në lidhje me mjetin e përdorur për vrasjen e dyfishtë janë për një sëpatë. Pavarësisht hetimeve, policia greke ende nuk ka sqaruar pistën e saktë të hetimit. Sipas të dhënave, vrasja mund të ketë ndodhur edhe diku tjetër dhe trupat janë hedhur aty për të mos u gjetur. Hetimet vazhdojnë dhe departamenti i policisë së krimeve kundër jetës dhe sigurisë në Selanik është duke kërkuar vrasësin apo vrasësit dhe motivet e këtij krimi të egër e të dyfishtë që mori jetën e dy adoleshentëve.
Lajmi tronditës për 16-vjeçaren nga Drenova, e cila është gjetur e vrarë në Selanik të shtetit grek, ka bërë që në banesën e familjes, e cila ndodhet në fshatin Drenovë, të hapen dyert e mortit. Të afërm të babait të saj, pasi janë njoftuar për krimin makabër, kanë hapur derën për të përgatitur shtëpinë prej nga duket se do të përcillet për në banesën e fundit adoleshentja. Sipas të dhënave nga ky fshat mësohet se pas divorcit të prindërve vite më parë, 16-vjeçarja Kristiana Miçani jetonte në shtetin grek së bashku me babanë Thimi dhe motrën e saj më të vogël, Sotiria. Jetesa në shtetin grek për familjen Miçani ka nisur të paktën 15 vite më parë, duke bërë që vajza të rritet atje dhe të vijojë një jetesë normale me bashkëmoshatarët e saj.

1 muaj më parë ishin zhdukur pa asnjë shenjë dy adoleshentët, të cilët veçse miqësisë dyshohet se kishin dhe lidhje intime mes tyre. Vendi ku u gjetën të vrarë ndodhet në zonën periferikë të Selanikut

Dyshimet
Policia greke po heton në disa pista në lidhje me krimin e dyfishtë. Ajo po verifikon mbi marrëdhëniet e vajzës me familjen dhe persona të tjerë, ashtu si dhe problemet që mund të ketë pasur viktima tjetër, i cili i përkiste komunitetit rom në qytetin e Selanikut. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.

Gjyshërit e Kristianës: Nuk e dimë kush e ka vrarë
“Vajza kishte konflikt me të atin, kishte ikur më parë nga shtëpia”

Hekuran Halili, gjyshi i vajzës

Nga media e kanë mësuar ngjarjen e rëndë dhe gjyshërit e vajzës nga e ëma. Ata jetojnë në fshatin Kamenicë të Korçës dhe janë tronditur nga lajmi tragjik. Sipas gjyshit të 16-vjeçares, Hekuran Halili, vajza është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, pasi kishte një lidhje intime me një djalë nga Drenova, i cili jetonte po në Selanik. Halili thotë se marrëdhëniet mes babait dhe vajzës ishin konfliktuale edhe si rrjedhojë e kushteve të vështira ekonomike, por ai përjashton faktin se Thimi Miçani mund të ketë pasur konflikte me persona të tjerë, të cilët do të çonin në vrasjen e 16-vjeçares.
Si e keni marrë vesh lajmin për vrasjen e mbesës suaj?
Unë nuk dija absolutisht asnjë gjë. Nga ju po e marr vesh dhe po më kapni në befasi. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo.
Ju nuk kishit kontakte me vajzën tuaj, Mirelën, apo edhe mbesat tuaja?
Patjetër që kam kontakte. Pas martesës së dytë, nëna e Kristianës, Mirela, jeton në Athinë, por merr në telefon vazhdimisht. Para dy ditësh kemi folur, madje edhe bashkëshortja ime ka shkuar për tek ajo që ta takonte. Edhe me mbesat ne flisnim. Për këtë vit nuk kemi folur, por vitin e kaluar kemi komunikuar disa herë. Nuk di ç’të them.
A keni dijeni nëse Kristiana ka pasur probleme me babanë e saj apo me ndonjë person tjetër?
Po si të them… Mika, (Thimi) nuk e ka pasur të lehtë me vajzat, vetëm me një rrogë, herë me punë e herë pa punë, shpesh edhe zihej me vajzat. Kristiana nuk e kishte herën e parë që largohej nga shtëpia. Një rast që di unë, ishte larguar për një muaj e gjysmë. I ati shpesh na ka thënë se donte ta fejonte. Unë di që ka pasur një lidhje me një djalë nga Drenova, i cili jetonte në Selanik, por që të këtë pasur marrëdhënie me një grek, nuk e di.
Ju mendoni se Thimi mund të ketë pasur konflikte me persona të tjerë që mund të kenë shkaktuar këtë vrasje?
Jo. Pavarësisht se vajza ime dhe ai janë ndarë, problemet kanë qenë mes tyre. Nuk besoj se mund të ketë lidhje me të.
Po me djalin grek, i cili është gjetur i vrarë së bashku me Kristianën?
Unë nuk di gjë fare për këtë, por mbase ai djali grek mund të ketë pasur ndonjë problem që ne nuk e dimë. Unë nuk flas dot për këtë.
Pse janë divorcuar Thimi dhe Mirela?
Kishin problemet e tyre, nuk shkonin mirë. Ai shpesh dehej dhe grindeshin me vajzën, madje ndonjëherë edhe e dhunonte. Ky ishte vendimi i tyre dhe unë e respektoj. Me ne ai nuk ka pasur kurrë probleme. Dhe Kristianën e kam rritur unë. E kam marrë të vogël sa një kotele dhe e bëra goxha vajzë për t’i ndihmuar. Madje edhe kur u rrit pak e çova vetë në Greqi te prindërit.

DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura