KORÇE – Një shqiptar i dënuar për vrasje është arrestuar në shtetin grek, ndërkohë që pritet edhe ekstradimi i tij. Policia e Korçës bëri me dije se Ardian Kalaveshi, 41 vjeç, është kapur në shtetin grek pas një bashkëpunimi mes saj dhe Interpol-Tiranës, të cilat, duke gjetur mbështetjen e autoriteteve greke, kanë bërë të mundur gjetjen dhe kapjen e tij. Sipas të dhënave, Kalaveshi ka kryer në vitin 1991 vrasjen e Roland Cangonjit dhe për këtë arsye është dënuar me 25 vite burg. Pasi ka mundur të arratiset nga burgu në vitin 1997, autori i vrasjes i ka shpëtuar drejtësisë, derisa është lokalizuar në shtetin grek. Pas ekstradimit, 41-vjeçari do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit në një prej burgjeve të sigurisë së lartë në vendin tonë. Krimi ka ndodhur 20 vjet më parë në varrezat e qytetit të Korçës për arsye banale. Roland Cangonji është gjetur i vrarë në afërsi të varrit të një shoku të tij. Burime nga Policia thanë se viktima dhe autori janë konfliktuar për shkaqe të dobëta. Sipas përshkrimit, viktima ka qenë duke kaluar me automjetin e tij në rrugën që të çon te varrezat e qytetit, ndërsa autori është përpjekur ta ndalë atë për ta shoqëruar diku me makinë. Duke mos pasur njohje mes tyre, viktima nuk është ndalur, por pasi ka mbërritur, ka dalë nga makina dhe ka hyrë në brendësi të parcelave me varre. Autori e ka ndjekur dhe pasi e ka arritur, ka nisur ta godasë viktimën Roland Cangonji derisa i ka shkaktuar vdekjen. dh.d











