Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të shtune në Pogradec, ku një konflikt i çastit mes një çifti të moshuar ka përfunduar me dhunë të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, 78-vjeçari Muhamet Shembulko dyshohet se ka goditur me sende të forta, dyshohet një shkop druri, bashkëshorten e tij 69-vjeçare. Si pasojë e dhunës, e moshuara ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në kokë.
Fillimisht ajo është transportuar në Spitalin e Pogradecit, ndërsa, sipas mjekëve, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe traumave të marra, do të dërgohet me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë shoqëruar autorin e dyshuar në komisariat. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes.
Pogradec / Informacion paraprak
Rreth orës 16:10, në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasi M. Sh., 78 vjeç, dyshohet se, gjatë një konflikti në banesë, ka goditur në kokë, me një shkop druri, bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. Sh., 69 vjeçe, e cila është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, në gjendje të rëndë.
78-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec dhe po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
© Panorama.al











