TAULANT KOPLIKU
Të gjithë që kanë udhëtuar në drejtim të Shkodrës kanë parë në krah të rrugës kombëtare, pak kilometra para se të mbërrish në qytet, një qendër të madhe të grumbullimit të mbetjeve urbane. Fjala është për landfillin e Bushatit, i cili është funksional prej shumë kohësh.
Por, krejt tjetër është pamja nëse hyn në qytetin e Shkodrës nga ana lindore, nga rruga e Vaut të Dejës. Fusha e hedhjes së mbetjeve urbane të ofron një pamje të frikshme, mbeturina që digjen, tym e pluhur, erë e keqe që përhapet kudo.
Ndërkohë, landfilli i Bushatit merr në ditë vetëm një të tridhjetën e kapacitetit të tij përpunues të mbetjeve. Një situatë paradoksale me një prapavijë keqmenaxhimi. Po si është historia?
Katër vjet më parë nisi puna për ndërtimin e landfillit rajonal të Shkodrës. Në atë kohë organizatat mjedisore, por edhe qytetarët që e njihnin rrezikun e asgjësimit me djegie të mbetjeve urbane, morën frymë të lehtësuar. Tashmë shpresohej se do të merrte fund ajo pamje sa e shëmtuar dhe aq e rrezikshme e ndotjes në përmasa dramatike në kryeqendrën e Veriut. Pas shumë varianteve për gjetjen e vendit atë kohë u konsiderua si më e përshtatshme një hapësirë në komunën e Bushatit, më pak se 20 km larg qytetit të Shkodrës.
Projekti u realizua në katër faza, nga viti 2008 deri në vitin 2011. Gjithçka u mbikëqyr nga përfaqësues të ministrive, të pushtetit vendor, mjedisit dhe transporteve dhe falë ndihmës së tyre të çmuar punimet në projekt ecën konform planifikimit. Pas inaugurimit të veprës nga Kryeministri Sali Berisha në gusht të vitit të kaluar, disa njësi të qeverisjes vendore të Lezhës e Shkodrës kanë nisur depozitimin e mbetjeve atje.
Drejtori i landfillit, Zija Gerbeti, shpjegon që tashmë janë realizuar kontratat me një numër të madh të njësive të qeverisjes vendore, që nga Bashkia Lezhë, Bashkia Vau i Dejës, komunat Dajç, Velipojë, Bushat, Hajmel në Shkodër dhe komunat Blinisht dhe Dajç në rrethin e Lezhës. Por, sipas tij, e vetmja njësi e qeverisjes vendore e cila që në nisje të projektit nuk ka rënë dakord për depozitimin e mbetjeve, është Bashkia Shkodër.
Situata që nga nisja e depozitimit sa vjen e rëndohet. Landfilli pret në ditë vetëm 5 tonë mbetje në një kohë që e ka kapacitetin 150 tonë. Sipas të dhënave, 100 tonë mbetje në ditë prodhohen vetëm nga qyteti i Shkodrës. Dëmi është i dyfishtë, landfilli nuk punon në kapacitetin e tij të plotë dhe, ç’është më e rënda, situata mjedisore në periferi të Shkodrës sa vjen e bëhet më katastrofike. Aq e rëndë është kjo situatë, saqë Ministria e Transporteve, në një letër që i drejton Ministrisë së Mjedisit i kërkon ndërhyrje të menjëhershme me anë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit.
Letra me firmën e ministrit Olldashi mban datën 12 dhjetor, ka të shënuar e zeza mbi të bardhë: “Mbetjet e qytetit të Shkodrës në vend që të depozitohen në landfill, vazhdojnë të depozitohen në vende të pakontrolluara, duke i shkaktuar dëmtime të mëtejshme mjedisit në këto zona”.
Po a ka përgjegjës për këtë situatë? Sigurisht që ka. Janë drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës. Edhe pse ata caktuan një përfaqësues në këshillin mbikëqyrës, ai kurrë nuk është paraqitur në ndonjërën prej mbledhjeve apo takimeve të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, thotë drejtori i landfillit, Gerbeti. Po cila është arsyeja e pretenduar?
Që në krye të herës, Bashkia e Shkodrës kishte kontestuar çmimin për ton të mbetjeve. Edhe pse kostoja e depozitimit ishte përcaktuar në 18 euro për ton, me ndërhyrjen e USAID-it u ra dakord për depozitimin me 7 euro për ton, një çmim ky sa 1/3 e çmimit që aplikohet në landfillin e Durrësit, i cili është pjesë e të njëjtit projekt. Këmbëngulja e Bashkisë së Shkodrës vijoi edhe pasi u firmos një kontratë me kompaninë “Becker Albania” sh.a., një degë kjo e gjigantit europian “Becker & Ambrust GmbH” me qendër në Frankfurt. Kjo kompani e suksesshme në disa vende të Europës, tashmë ka marrë përsipër menaxhimin e mbetjeve në landfill, ndërkohë që po punohet intensivisht për ngritjen e impianteve të fraksionimit dhe të riciklimit. Në ceremoninë prezantuese, Kryeministri Berisha deklaroi se ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin e Veriut, dhe se tashmë ishte radha e njësive vendore të zbatonin projektin.
Ulja me tri herë e çmimit të depozitimit të mbetjeve duhet të kishte sjellë një reagim nga Bashkia e Shkodrës. Fakti që kjo nuk është bërë, vërteton pretendimet e artikuluara jo zyrtarisht se duke qenë se është njësia më e madhe vendore, duhet të marrë edhe administrimin e veprës. Dhe, në fakt, kjo është arsyeja e vërtetë e këtij qëndrimi absurd. Kjo tentativë e çuditshme, krejt në kundërshtim me kompetencat e njësive vendore për t’u bërë ata vetë administratorë të impiantit, duket se do ta lërë Shkodrën edhe për shumë kohë në mëshirën e plehrave.
Edhe pse jo i deklaruar si një konflikt i hapur mes Bashkisë së Shkodrës dhe komunës Bushat, tashmë kjo përplasje po bëhet një shkak dëmtimi të mjedisit dhe të shëndetit të qytetarëve. Por qytetarët që “bashkëjetojnë” me djegien masive të mbeturinave urbane në vendgrumbullimin pranë Varrezave të Dëshmorëve, nuk ka pse të mbahen peng e mosmarrëveshjeve administrative. Specialistë të mjedisit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat kanë ngritur zërin për situatën e krijuar.
Mjekët epidemiologë thonë se djegia e mbeturinave në zona të banuara shkakton një seri të gjatë sëmundjesh, nga ato respiratore, te sëmundjet e lëkurës e deri ato për rrezikun e shfaqjes së formave të ndryshme të kancerit nga çlirimi i vazhdueshëm i gazrave që shkakton djegia e mbeturinave. Por e gjitha kjo për Bashkinë Shkodës është asgjë. Kërkesa e bërë nga Këshilli Bashkiak i qytetit nuk merret në konsideratë. Qëndrimi primitiv në trajtimin e çështjes vijon të dominojë. Mungesa e transparencës është dominuese. Pretendimet për t’u bërë zot i asaj që nuk i takon e kanë vënë Bashkinë e Shkodrës në një situatë qesharake. Absurdi vazhdon prej muajsh. A do të ketë një fund?











