Shqipëria politike nganjëherë të ngjan si nga ata karuselët për fëmijë, që cilitdo kalë t’i kesh hipur, po vërdallë do t’i biesh e po në një vend do të përfundosh. Ndoshta është thjesht një zinxhir rastësish, mirëpo nganjëherë ngjan se përvoja e parë me demokracinë pluraliste në Shqipëri ka lënë në subkoshiencën politike shqiptare gërvishtje shumë-shumë më të thella se ç’e mendojmë.
Ndryshe nuk ka si të shpjegohet që skenari politik i vitit 1924 tenton të ripërsëritet në forma të ngjashme, ndonëse, sigurisht, çdo përpjekje ka veçoritë e saj. Në fund të fundit, kopja perfekte nuk ekziston për asgjë.
Skenari praktikisht është ky: “Zogu” kundër “Nolit”, “e djathta” kundër “të majtës”, “Veriu” kundër “Jugut” (mos u lodhni të kundërshtoni etiketimet, sepse jo më kot janë vënë në thonjëza – fjala vjen, “Noli” kishte po aq veriorë e mbase më shumë nacionalistë me vete se “Veriu”, për shkak të pranisë së fortë kosovare). “Zogu” fiton zgjedhjet me votën e “popullit”. Mirëpo, shpejt ndodh që “populli” ngrihet dhe vë në pushtet “Nolin”. (Tani vargu përshkrues “katundarë e punëtorë që nga Shkodra deri në Vlorë” duhet marrë pak me modifikimet e kohës. Vlora mbetet pikënisje, Shkodra ka dalë nga rreshti, madje mund të mos ketë qenë kurrë aty).
Në vitin 1944, “populli” rrëzoi përsëri pushtetin e “të djathtës” dhe vendosi në pushtet ata që qëndisën në historinë shqiptare rëndësinë e “revolucionit të Nolit”. Pluralizmi u ndalua si lojë për gati 40 vjet, por, kur u ringjall, erdhi bashkë me hijet e kohës në të cilën ishte eksperimentuar për herë të parë.
Në vitin 1996, “e djathta” fitoi me vullnetin “e lirë” të popullit dhe ishte përsëri “populli” që u çua një vit më vonë dhe solli në pushtet “të majtën”.
Nuk quhet veprim serial, nëse nuk ndodh disa herë. Dy-tri instanca mund të mos mjaftojnë për ta shpallur si ligj të politikës shqiptare, mirëpo, eksperimenti i zgjedhjeve lokale të 8 majit mund të bëjë atë që për pak dukej se do ta bënin zgjedhjet e qershorit 2009.
E vërteta është se skenari nuk përsëritet për çdo zgjedhje apo menjëherë pas zgjedhjeve. Siç e thashë më lart, çdo rast ka veçoritë e tij, mirëpo pushteti i shpallur si legjitim në Tiranë, që rrëzohet nga një dallgë që vjen e nisur nga Vlora, me Veriun mospërfillës, në mos reaksionar ndaj dallgës, mbeten elemente të pandryshueshme të skenarit.
Këtu në SHBA ka një traditë që Lufta Civile mes Veriut dhe Jugut, përkujtohet besnikërisht nga grupe të mëdha njerëzish, të cilët çdo vit vishen me uniformat e të dy palëve, armatosen sipas kohës dhe inskenojnë sërish betejat pikërisht në fushat ku kanë ndodhur. Është një formë shumë interesante e rijetimit të historisë nga breza, të cilët e kanë mësuar vetëm nga librat e shkollës apo dokumentarët televizivë.
Mbase është e nevojshme që shqiptarët të përqafojnë traditën amerikane dhe të ripërsërisin historinë, duke inskenuar ngjarjet në të cilat kanë munguar, sepse nuk kishin lindur akoma. Mbase është një nevojë e subkoshiencës historike e politike që gjallon brenda nesh.
Sepse në realitet, gjithsesi ne po e inskenojmë sërish këtë proces, vetëm se jo si një lojë, por si realitet të jetës sonë. Ngjarjet po rijetohen seriozisht. Ndoshta kemi një nevojë të pashmangshme për të rijetuar konfliktin e parë real, mëkatin origjinal të politikës shqiptare, vitin 1924. Ndoshta nuk i shmangemi dot rikthimit tek “vendi i krimit”, aty ku për herë të parë vramë ëndrrën e një epoke të re.
Nëse është kështu, atëherë përsëritja e tyre në formë loje do të mund t’i distancojë ato nga jeta reale. Deri atëherë, druhem se proceset politike janë vetëm stërvitje, përgatitje, një fill episodesh që sorollatet e sorollatet, vetëm sa për të justifikuar përfundimin po aty. Skenari është thelbi; Gjithçka tjetër është justifikimi i radhës. Marksi, ideologjia komuniste, skemat piramidale, demokracia e vërtetë, vota e vjedhur…
Sigurisht që ka edhe anomali në këtë interpretim, si për shembull përpjekja e lënë përgjysmë e pushtimit të institucioneve në vitin 1998; Apo deklaratat e asaj kohe të Berishës se po të donte, e merrte Tiranën vetëm me demokratët e Laçit dhe të Mamurrasit. Mirëpo, arsyeja se pse ky kthim kokëposhtë i skenarit nuk është kurorëzuar kurrë, është sepse nuk bën të marrësh rolin e tjetrit në dramën e vitit 1924. Me gjithë prapësitë dhe hilet e politikës shqiptare, këtë standard kemi ditur ta ruajmë.
© Panorama.al












