“E fal Kupën, vetëm të mund Barçën”

Jan 18, 2012 | 12:32

Murinjo: Kush kritikon Ronaldon, do merret me mua më parë

Murinjo nuk ka preferuar të fshihet, siç e ka bërë shpeshherë para “El Clasico”-ve, duke nxjerrë në konferencë për shtyp zëvendësin e tij, Aitor Karanka. Këtë herë, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve me shumë autoritet, siguri dhe pa diskutim ironinë e tij tashmë të zakonshme. “Ky kompeticion është i treti në listën e objektivave që kemi dhe sigurisht që përqendrimi nuk është aq i madh sa te dy të tjerët. Por, kur bëhet fjala të përballemi me Barcelonën, jam gati ta fal Kupën e Mbretit, vetëm për t’i eliminuar katalanasit. Për sa i përket formacionit, nëse unë fut Koentraon mbrojtës të djathtë, më kritikoni se ai luan në të majtë. Nëse e fus Serxho Ramosin në të djathtë, më kritikoni pse nuk e vë në qendër. Nëse e fus Pepen në qendër të mesfushës, më kritikoni pse nuk e vë në mbrojtje. Nëse fus Higuainin, më thoni pse nuk fus Benzemanë. Gjithnjë keni pakënaqësi. Por, ajo që ju sugjeroj është të shikoni ndeshjen dhe të prisni rezultatin”, ka pohuar Mourinjo. Më pas, ai ka bërë një ekspoze të skuadrës së tij, duke prekur disi temën e dëmtimeve. “Përveç mungesave të sigurta, Di Maria nuk është në 100% të formës së tij dhe më duhet të pres deri para ndeshjes. S’e kam vendosur ende nëse është i aftë të luajë titullar apo jo. Edhe Pepe ka pasur një shqetësim fizik. Për sa i përket Ronaldos, ai që do guxojë të merret me të, duhet të merret me mua më parë”, tha Mourinjo.

Hije dyshimesh mbi dëmtimet e Realit
Pepe dhe Di Maria janë në dyshim për të luajtur në “El Clasico”, pasi kanë probleme fizike. Gjithsesi, duket se askush nuk e ka besuar këtë lajm. Te katalanasit janë përgatitur që të dy futbollistët të jenë në fushën e lojës si titullarë. Por, në rast se gjendja e mesfushorit argjentinas Di Maria nuk është vërtet shumë e mirë, në vendin e tij do aktivizohet Kalejon, i cili është paraqitur shkëlqyeshëm në ndeshjet e fundit. Për sa i përket pjesës tjetër të formacionit, Benzema është favorit ndaj Higuain, ndërsa si mbrojtës i djathtë pritet të aktivizohet Lasana Diarra.

© Panorama.al

Te lidhura