E drejta TV: Shqipëria mund të marrë 4 herë më pak parà

Jan 13, 2012 | 12:50

Kohë të vështira për futbollin shqiptar. Jo vetëm për mungesën e investimeve, jo vetëm për problemet me financat, por edhe sepse në të ardhmen paratë nga e drejta TV e ndeshjeve të Kombëtares do të jenë më të pakta. Kjo u tha menjëherë pasi u hodh shorti për Botërorin e vitit 2014, ku Shqipëria ndodhet në grup me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën. Duhet thënë se këto skuadra janë të nivelit mesatar dhe nuk garantojnë shumë publicitet. Ofertat që kanë mbërritur së fundmi nga disa kompani televizive janë shumë larg asaj që përfitoi Shqipëria edicionin e kaluar. Në eliminatoret e Euro 2012 kuqezinjtë ishin në një grup me Francën dhe përfituan rreth 5.1 milionë euro. Tani rrezikojnë të përfitojnë katër herë më pak. Burime të sigurta në Komitetin Ekzekutiv pohuan për “Panorama Sport” se oferta që ka marrë FSHF-ja është afro 1.3 milionë euro. Nëse nuk do të ketë ndryshime në të ardhmen, atëherë kjo pritet të ketë një efekt zinxhir edhe tek investimet që do të bëhen në futboll.

© Panorama.al

Te lidhura