Maxhoranca në Këshillin Bashkiak të Tiranës zgjodhi dje 15 anëtarët e saj
për në Këshillin e Qarkut të Tiranës, ndërsa opozita e braktisi këtë proces.
Këshilltarët e maxhorancës në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pa ata
të opozitës për anëtarët e Këshillit të Qarkut që zgjidhen nga ky Këshill. Opozita u largua nga salla e mbledhjeve të Këshillit me pretendimin se seanca u zhvillua me shkelje të mëdha që në nisje të saj. Opozita nuk arriti në këtë mënyrë të propozojë anëtarët e saj për në Këshillin e Qarkut, duke i lënë hapësirë të plotë vetëm propozimeve të maxhorancës. I vetmi i pranishëm
nga opozita ishte këshilltari i PSV91, Enver Reçi, i cili u zgjodh edhe në
Këshillin e Qarkut.
ZGJEDHJA
Pasi mbaroi betimi i kryetarit të ri të Bashkisë, Lulzim Basha, kryetari i Këshillit, Kosovrasti, dhe nënkryetari i tij, Zamir Ndroqi, kërkuan që ta shoqëronin Bashën në zyrën e tij për të nisur kështu detyrën e re. Bashkë me ta, edhe ambasadorët e pranishëm në ceremoninë e betimit. Në zyrën e kryetarit të ri shkuan edhe një pjesë e mirë e këshilltarëve të maxhorancës.
Kjo ceremoni në zyrën e kryetarit të ri të Bashkisë zgjati rreth 30 minuta,
duke bërë që socialistët të humbnin durimin. Kur janë kthyer në sallën e mbledhjes, kreu i këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi, e cilësoi të braktisur
sallën e mbledhjes nga këshilltarët e maxhorancës duke e quajtur jo serioze. Duke e cilësuar seancën e djeshme me shkelje të rënda edhe për shkak të udhëzimeve të ministrit të Brendshëm, Dalipi kërkoi që votimi për Këshillin
e Qarkut të bëhej në mbledhjen e ardhshme. “Seanca nisi me shkelje të rënda
me udhëzime të paligjshme, si dhe u bllokuan procedurat e Këshillit Bashkiak”, u shpreh Dalipi. Por, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni, kërkoi që Këshilli i Qarkut të zgjidhej menjëherë dhe të
niste nga puna. Këshilltarët socialistë janë larguar, dhe pse mes tyre mungonin Mimoza Hafizi dhe Kristaq Blushi. Poni lexoi listën e
kandidatëve të maxhorancës për Këshillin e Qarkut. Enver Reçi, këshilltar i PSV91, kërkoi të ishte dhe ai në listën që do të votohej dhe në fund të votimit ai rezultoi me 29 vota, aq sa kishin marrë të gjithë këshilltarët e tjerë të së djathtës.
Koçi dënon qëndrimin e Reçit: Komprometues
Kreu i PSV91, Petro Koçi, i cilësoi veprimet e këshilltarit të tij në Këshillin Bashkiak të Tiranës të pajustifikuara dhe komprometuese. “Pa dashur t’i rrisë rëndësinë ndonjë veprimi të çuditshëm në procesin e konstituimit të Këshillit, duhet të deklaroj se çdo sjellje ndryshe nga ajo e Grupit socialist, në raport me maxhorancën që mban përgjegjësi direkte në vrasjet e 4 opozitarëve në 21 janar dhe grabitjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, mbetet e pajustifikueshme dhe komprometuese. Çdo bashkëpunim
për përfitime apo dëm individual opozitar me manipuluesit historikë
të zgjedhjeve nuk i shton dot ditët e qeverisë Berisha”, u shpreh Koçi. Kreu i PSV91 vlerëson qëndrimin e Grupit të PS. “Në emër të PSV përshëndes qëndrimin dinjitoz të Grupit socialist, të këshilltarëve dhe të kryetarit të grupit, Aldrin Dalipi, në konstituimin e qeverisjes vendore të Tiranës”, u shpreh Koçi. ARISTIR LUMEZI
Lista e anëtarëve të Këshillit të Qarkut
• Ferdinand Poni
• Suzana Guxholli
• Njazi Kosovrasti
• Dhori Kule
• Eneida Guria
• Besnik Aliaj
• Enkelejda Sallaku
• Bledi Kasmi
• Arjana Bekteshi
• Shezai Rrokaj
• Edmond Panariti
• Tahir Muhedini
• Maksim Begeja
• Agim Kraja
• Enver Reçi
Të zgjedhur me
nga 29 vota secili











