Dyshoi se i vidhte shtëpinë, sëpatë kokës kushëririt

Dec 20, 2011 | 13:25

Vrasja e 38-vjeçarit në Pogradec është kryer nga kushëriri i tij, pasi dyshonte se i vidhte në banesë. Policia e Korçës ka arritur të zbardhë krimin tronditës dhe arrestoi dje autorin e ngjarjes, 51-vjeçarin Gurali Dikellari. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Miron Bekollari, banues në lagjen Nr.1 të qytetit të Pogradecit është vrarë nga kushëriri i tij, për shkak se ky i fundit dyshonte se viktima kryente vjedhje të herëpashershme në banesën e tij. Pas 24 orë hetimesh, është zbuluar se viktima është vrarë me mjete të mprehta, me një sëpatë, e cila është gjetur edhe në vendin e krimit. Trupi i Miron Bekollarit u gjet paraditen e së dielës në oborrin e banesës së të arrestuarit, pasi ky i fundit sinjalizoi Policinë e Pogradecit. Fillimisht u dyshua për një ngjarje aksidentale, por goditjet në kokën e viktimës ngrinin dyshime për një vrasje të mundshme. Gjetja e trupit të pajetë në oborrin e shtëpisë së Gurali Dikellarit, por edhe e një sëpate të përgjakur, ka bërë që të shoqërohet në ambientet e Komisariatit të Pogradecit kushëriri i viktimës dhe të merret në pyetje për rreth 12 orë. Ndërkohë nga ana tjetër, ekspertët kanë kryer edhe autopsinë e viktimës. Burime të Policisë bënë të ditur se autori nuk e ka pranuar krimin, por blutë kishin evidentuar prova të mjaftueshme për ta inkriminuar atë në këtë krim makabër. Gjatë marrjes në pyetje, autori i dyshuar ka pranuar se ishte konfliktuar shpesh me kushëririn e tij për shkak të disa vjedhjeve të kryera nga viktima në banesën e tij. Por nga ana tjetër, ai ka refuzuar autorësinë e krimit. “Gjetja e armës së krimit, por edhe e rrobave të përgjakura apo elementeve të tjerë kanë bërë që Gurali Dikellari të akuzohet për vrasjen e 38-vjeçarit, kushëriri i tij”, bënë të ditur burime të Policisë. Pas verifikimeve të kryera nga grupi i hetimit, rezultoi se babai i dy fëmijëve ishte i punësuar te kushëriri i tij në ndërtim. Mësohet se Dikellari po ndërtonte një banesë të re pas divorcit nga e shoqja. Ajo e kishte braktisur gjatë periudhës kur ai kishte qenë i burgosur. Për thuajse 12 orë Gurali Dikellari është marrë në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen tronditëse. Sipas burimeve, autori ka pranuar se mes tij dhe viktimës ka pasur mosmarrëveshje të krijuara si pasojë e disa vjedhjeve që supozohet se viktima kishte kryer në banesën e 51-vjeçarit. Pavarësisht kësaj, autori nuk pranon kryerjen e një krimi të tillë. Versioni i dëshmuar prej tij për ngjarjen, ka të bëjë me rënien aksidentale të viktimës nga shkëmbi i ndodhur ngjitur me banesën në ndërtim të autorit. Ai ka treguar se kushëriri i tij, përveç punës së ndërtimit që kryente në banesë, shpesh i drejtohej shkëmbit përbri banesës dhe shprehej se gërmonte në të pasi dyshonte se atje mund të gjente ar. Duke i mëshuar rrëshqitjes së 38-vjeçarit nga shkëmbi, ai i është shmangur përgjegjësisë së krimit.

SMS për trafik të miturash
Ndaj të akuzuarit për vrasje rëndonte edhe një precedent tjetër penal, për trafikim të armëve dhe municioneve, për të cilën ishte dënuar me 15 vjet burg. Ndërkaq, hetimi gjatë këtyre 24 orëve nga policia zbuloi në aparatin celular të 51-vjeçarit Dikellari edhe mesazhe kompromentuese që e lidhin autorin me trafikimin e femrave të mitura jashtë shtetit. Referuar komunikatës zyrtare të Policisë në lidhje me krimin, thuhet se “është bërë dhe kontrolli i celularit të të dyshuarit, ku janë gjetur disa mesazhe (SMS), të cilat në përmbajtjen e tyre kanë të bëjnë me trafikimin e një minoreneje në moshë 17 vjeçe. U kryen veprimet për veprat penale të ‘vrasje me dashje’ dhe ‘trafikim të të miturve”.

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura