Dy vajza, vetëflijim me ilaçe

Jun 12, 2012 | 14:02

Dy adoleshente, respektivisht 15 dhe 16 vjeçe, nga rajoni i Sarandës, kanë tentuar t’i japin fund jetës duke konsumuar mbidozë ilaçesh. Ngjarjet përkojnë në kohë, por sipas Policisë vendi dhe motivi që i ka shtyrë vajzat drejt aktit final ka qenë i ndryshëm. Fillimisht në urgjencën “Stefan Mekshi” të Sarandës është paraqitur në gjendje të rëndë rreth orës 20:00 të së dielës, e shoqëruar nga prindërit e saj 16-vjeçarja S.H., banore e fshatit Shalës, komuna e Markatit, rreth 60 km larg qytetit të Sarandës. Sipas burimeve nga spitali i Sarandës, mësojmë se vajza adoleshente kishte konsumuar disa tableta të llojit “colesterol crestor”, që përdoren për të sëmurët me kolesterol dhe që u duhet për hollimin e gjakut. Mësohet se në familjen Haruni ky ilaç përdorej nga gjyshja e saj, me qëllim hollimin e gjakut, pasi prej vitesh vuan nga kolesteroli. Pas ndihmës paraprake, lavazhit të stomakut me qëllim pastrimin e tij nga ilaçi që po kryente qëllimin e helmimit, konsulta mjekësore vendosi që e sëmura, 16-vjeçarja S.H., të nisej me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Hetimet paraprake policore kanë zbuluar se ngjarja ka ndodhur pasi adoleshentja S.H. nuk e ka përballuar dot ndarjen nga i dashuri i saj, e për këtë ka tentuar të vetëflijohet, ndërsa burime policore të Sarandës thanë se S.H. e ka rastin e pestë që tenton vetëflijimin, ndërsa nuk bëhen të ditura shkaqet për rastet e para.  Dy orë pas ngjarjes së parë, në spital ka mbërritur në gjendje të rëndë E.D., 15 vjeçe, nxënëse e klasës së 9-të në shkollën “9 Tetori” të Sarandës. Sipas familjarëve, vajza adoleshente kishte konsumuar rreth 15 tableta “Depon”. Edhe për sarandjoten E.D. konsulta ka vendosur dërgimin e saj për mjekim më të specializuar në Tiranë. Të pyetur rreth rrethanave të ngjarjes, prindërit e E.D. treguan se kohët e fundit vajza kishte shfaqur simptoma stresi, që ndoshta vinin nga sezoni i provimeve të lirimit. Burime spitalore bëjnë të ditur se pas trajtimit mjekësor në Tiranë, dy adoleshentet kanë dalë nga gjendja e rënduar e tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura