Dy lamtumira të ndryshme

Dec 21, 2011 | 11:43

RUBEN AVXHIU

Dy lajmërime mortore të kësaj fundjave mbartën me vete kujtesa të forta politike për shqiptarët: ajo e disidentit të famshëm çek, Vaclav Havel dhe tjetra e diktatorit koreanoverior, Kim Jong II.Vaclav Havel ka qenë  gjithmonë një figurë tërheqëse jo vetëm për shqiptarët, po për mbarë botën. Ndërsa Lech Valessa në Poloni, u bë simbol i revoltës popullore në Europën Lindore, Vaclav Havel nga Çekosllovakia ishte ndërgjegjja e kësaj revolte. Vështirë se mund të gjesh dikë që t’i ketë bërë një analizë dhe përshkrim më të thellë diktaturës komuniste eurolindore, sesa shkrimtari Havel. Ai vetë u bë më vonë Presidenti i parë antikomunist i Republikës Çeke, por asnjëherë nuk u kthye në politikan të mirëfilltë. Mbeti intelektual e zë i ndërgjegjes.
Shqiptarët nuk patën fatin të kenë një Vaclav Havel për arsyen e thjeshtë se diktatura shqiptare ndryshonte nga të gjitha diktaturat e tjera të rajonit. Disidentët si Havel nuk dalin vetëm. Ata përfaqësojnë një stad zhvillimi të rezistencës shoqërore, e cila Shqipërisë i mungoi.
Kur emri i tij u bë i famshëm në Shqipëri pas rënies së komunizmit, mbaj mend që më bëri shumë përshtypje fakti që ai kishte shkruar një libër në burg. E di që shumë të burgosur shqiptarë u kthyen në përkthyes me mëditje në burgjet e kampet shqiptare, por mundësia e ish-të burgosurve shqiptarë për të botuar e shpërndarë krijimin në kushtet e komunizmit shqiptar ishte inekzistent. Po Çekia nuk ishte Shqipëria. E komunistët çekë nuk ishin ata shqiptarë.
Dallimi mes Shqipërisë dhe Çekisë në kohën e komunizmit më kujton një dialog klasik të kohës së disidencës në Çeki.
Një disident i thotë shokut të tij: “Pse nuk po angazhohesh edhe ti kundër komunizmit?”. “Nuk guxoj se kam fëmijë”, i përgjigjet ai. Dhe pastaj e pyet: “Po ti pse po angazhohesh?”. “Se kam fëmijë”, ia kthen disidenti.
E njëjta gjë që paralizonte shqiptarët, hakmarrjen e regjimit te njerëzit e afërt, u jepte zemër çekëve.
Akuza që i bëhej shpesh Kadaresë se nuk u bë një Havel, do të ishte legjitime nëse sakrifica e shkrimtarit do të kishte mundësi të luante një rol. Po Haveli që krijoi të famshmen Kartë 77, që i kundërvihej regjimit, që u burgos disa herë dhe përsëri i kishte kushtet të funksiononte si intelektual, është e qartë që jetonte në një univers tjetër.
Në Shqipëri, shkrimtarët kur dënoheshin, u zhdukej edhe letra e fundit e shkruar, jo vetëm që nuk mund të botonin më, po nuk gjenin dikë që të shkëmbenin një fjalë. Tmerri i komunizmit shqiptar nuk ishte thjesht aparatura shtetërore që të dënonte, por shmangia që të bënin nga jeta të gjithë të njohurit, fqinjët, kolegët, shpesh edhe njerëzit më të dashur të familjes. Mungesa e denoncimit ishte akuzë automatike për bashkëpunim dhe njerëzit më të afërt kishin detyrën të të thoshin fjalën më të rëndë, akuzën më të poshtër.
Po ndërsa vdekja e Havelit na kujtoi disidentin që nuk e patëm, ajo e Kim Jong-II na kujtoi vitin 1985, diktatorin që e patëm, që e nderuam me lot deri në banesën e fundit. Pamjet e dënesave publike nga Koreja e Veriut duken si ndonjë riprodhim i frikshëm aziatik i ngjarjeve të Tiranës në atë prill gjithë shi, ku të gjithë shqiptarët u vunë në rresht dhe u siguruar që të shiheshin duke qarë, që të konkurronin në shprehjen teatrale të pikëllimit. Besohet se ka qenë frika e brendshme faktori kryesor. Po frika duket nganjëherë e pamjaftueshme për të shpjeguar pasionin e interpretimit.
Në mënyrë kuptimplote, sokëllimat e fundbotshme të koreanoveriorëve, për diktatorin që i ka marrë peng e i ka izoluar nga bota, janë në kontrast të fortë, me nderimin e heshtur me të cilin përcillet Havel, ky avokat i madh i lirisë së popujve, që bëri aq shumë që populli i tij dhe njerëz kudo në botë të rrëzojnë muret fizike dhe mendore që i izolojnë. Pa mbështetjen e tij morale, argumenti i ndërhyrjes në Kosovë i artikuluar nga Presidenti Klinton dhe Kryeministri Bler do të mbetej i paplotë. Mbështetja e tij ishte e vendosur edhe kur erdhi ora e pavarësisë. Kur ke nga mbrapa një mbështetje të kësaj përmase fiton siguri që je në rrugë të drejtë.
Po përcjellja e fundit i ngjan komunikimit në të gjallë. Kim Jong-II e rrethonte veten me duartrokitje frenetike, me brohoritma e me shprehje publike të admirimit. Havel, i cili qysh në fillimet e tij si President preferonte të mos ia brohorisnin emrin, u shoqërua më shumë nga shprehje private të admirimit e respektit.
Sot, kur kemi lënë pas që prej 20 vjetësh një regjim komunist me një diktator si Kim Jong-II dhe pa një disident si Vaclav Havel, ia vlen të kujtojmë se këto dy karakteristika nuk i takojnë thjesht së shkuarës. Ato kanë lënë trashëgiminë e tyre.
Edhe sot, e vetmja mënyrë e nderimit të udhëheqësve tanë është ajo e adhurimit ekstrem, ndërsa çdo përpjekje për mendim ndryshe, brenda çdo partie, institucioni, organizate e grupimi, publik e privat, persekutohet pa dilemë. Dhe nuk u vë faj dot njerëzve se duan të sigurojnë mirëqenie e progres, se kanë familje e kanë fëmijë. Po ndoshta pikërisht në zgjedhjen e dilemës, për t’u lënë një shtëpi më të mirë, apo një atdhe më të mirë, ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë shoqëritë, ndryshojnë e epokat, fatet dhe historitë.
* Autori është kryeredaktor i gazetës “Illyria” në Nju Jork

© Panorama.al

Te lidhura