DURRES – Autori i masakrës së Durrësit, shtetasi Arjan Çelaj, është dënuar me burgim të përjetshëm. Dje, në Gjykatën e Durrësit u zhvillua seanca gjyqësore për autorin e vrasjes së trefishtë të ndodhur rreth dy vite më parë, kur autori hyri në një lokal i armatosur, duke qëlluar për vdekje Luan Currin, Ani Currin dhe Edmond Shemsin. Trupi gjykues vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të shtetasve të lartpërmendur. Trupi gjykues i përbërë nga treshja Ervin Metalla, Anila Mici dhe Astrit Faqolli, pasi kanë dëgjuar organin e akuzës i cili përfaqësohej nga prokuror Ilir Turja, kanë lënë në fuqi kërkesën e këtij të fundit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm Çelajn, i cili akuzohet të ketë kryer vrasjen e trefishtë të ndodhur më datë 27.01.2010, rreth orës 22:30, në një lokal bastesh sportive në Lagjen Nr.9 të qytetit bregdetar. Ndërkaq mbi të rëndojnë dy akuza: ajo e vrasjes së trefishtë dhe armëmbajtjes pa leje, ndaj për këtë të fundit Çelaj është dënuar me katër vite burg dhe në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, përfundimisht i pandehuri ka marrë dënimin me burgim të përjetshëm. Nga hetimet e kryera gjatë këtyre dy viteve rezultoi se Arjan Çelaj është i dyshuari kryesor i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 27 janarit të vitit 2010. Çelaj u arrestua në qytetin e Vlorës vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin bregdetar, ku mbetën të vdekur Luan Curri, nipi i tij Ani Curri dhe Edmond Shemsi. Ndalimi i 37-vjeçarit u krye si rezultat i një operacioni ku bashkëpunuan Policia e Durrësit dhe ajo e Vlorës. Rreth orës 22:30 të datës 27.01.2010, në Lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, një person i armatosur, që sipas prokurorisë dyshohet të ketë qenë shtetasi Arjan Çelaj, ka hyrë i armatosur në ambientet e një lokali, në vendin e njohur si lagjja e re dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Si pasojë mbetën të vrarë tre persona, ndërsa në lokal në momentin e shkrehjes së armës ndodheshin 9 veta, mes tyre edhe viktimat. Luan Curri dhe nipi i tij, Ani Curri, kanë qenë në një tavolinë, ndërsa shtetasi Edmond Shemsi ka qenë në një tjetër tavolinë duke biseduar me disa të njohur të tij. Sipas Policisë, nga hetimet e atëhershme rezultoi se objektivi ishte Luan Curri, me të cilin autori kishte një konflikt të hershëm. Nëse automatiku i autorit nuk do të ishte bllokuar pas 19 shkrehjeve, mendohet se do të ishin ekzekutuar të gjithë klientët në lokal. l.m











