Durrës, RES-i mbron gjyqtarin

Sep 15, 2011 | 12:24

Gjyqtari i Durrësit, Fejzo Hysa, është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit, pas një kërkese që ai i ka drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Tre oficerë policie të repartit RES (ish-Brisku), morën në dorëzim banesën e tij në Durrës, ndërsa gjyqtari do të shoqërohet gjatë gjithë lëvizjeve që do të kryejë. Vendimi për ta marrë në mbrojtje erdhi pas arrestimit të një prej avokatëve të bandës së Durrësit, Vangjel Muzina, i denoncuar për kanosje dhe shantazh nga gjyqtari Fejzo Hysa. Avokati Muzina u arrestua dy ditë më parë nga policia, pasi kishte kërcënuar gjyqtarin duke i thënë se “do të përfundosh si Skerdilajd Konomi”, gjyqtari që u ekzekutua me eksploziv të premten e javës që shkoi në Vlorë. Nisur nga këto rrethana, gjyqtari është shprehur se ndjehet i rrezikuar, gjithashtu kërkesën për mbrojtjen e tij e ka bërë edhe KLD, që i ka kërkuar Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë mbledhjen e një komisioni për këtë rast. Burime nga Policia e Shtetit thanë se komisioni për caktimin e mbrojtjes është mbledhur dje rreth orës 15:30, në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas vlerësimit të rastit dhe njohjes me kallëzimin e

Makina e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, pas shpërthimit me telekomandë

bërë në polici, hetimet për arrestimin e avokatit, zbardhjen e tabulateve telefonike dhe pretendimet e vetë gjyqtarit Fejzo Hysa, u ra dakord që atij t’i caktohej mbrojtje. Kërcënimi për të cilin Hysa u mor në mbrojtje ka ndodhur disa ditë më parë, pas humbjes së një çështjeje civile të klientit, interesat e të cilit mbronte avokati i arrestuar Vangjel Muzina. Policia e Durrësit hetoi dhe e zbuloi ngjarjen pas tri ditë hetimesh, duke verifikuar tabulatet dhe identifikuar përdoruesin e numrit telefonik. Dy ditë më parë u arrestua teksa pinte kafe në lokal me miqtë e tij avokati Vangjel Muzina, 64 vjeç, me akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Burime nga Policia thanë se gjyqtari ishte shqetësuar në mënyrë të përsëritur në telefon nga një numër i panjohur. Duke menduar që të mbrohej, Hysi e ka denoncuar në fundjavë ngjarjen në Komisariatin e Durrësit, duke treguar se dikush e kërcënon me fjalët: “Do përfundosh si Skerdilajd Konomi”.

Prokurorët e gjyqtarët që mbrohen
Aktualisht, oficerët e repartit “RES”, me vendimin e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, kanë në mbrojtje pesë prokurorë dhe katër gjyqtarë. Sipas të dhënave mësohet se prokurorët dhe gjyqtarët që mbrohen janë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për shkak të çështjeve që kanë në hetim, janë kërcënuar me jetë.

Vendimi i komisionit për mbrojtjen
Sipas vendimit të komisionit të mbrojtjes së dëshmitarëve, mësohet se në dispozicion për mbrojtjen e gjyqtarit Fejzo Hysa janë vënë 3 oficerë të repartit “RES”, një prej të cilëve do të mbajë nën kontroll banesën e gjyqtarit Hysa, ndërsa dy të tjerë do ta shoqërojnë gjatë gjitha lëvizjeve që ai do të kryejë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura