Durrës, grabitet tregtari i floririt

Jun 4, 2012 | 13:28
Vendi ku ndodhi grabitja në Durrës

Persona të maskuar grabiten dje një biznesmen në Durrës duke përfituar një shumë të konsiderueshme financiare. Autorët e ngjarjes besohet se kanë qenë tre persona të armatosur, të cilët nuk janë identifikuar ende nga policia.  Ata kanë grabitur një tregtar floriri dhe janë larguar në drejtim të paditur. Bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme bizhuterish, kryesisht të punuara me material floriri, që arrijnë vlerën e 60 mijë eurove. Ngjarja e rëndë është regjistruar të shtunën, në lagjen Nr. 8 të qytetit, pranë banesës së të dëmtuarit Ndriçim Biçaku, 40 vjeç. Ky i fundit, si çdo ditë rreth orës 06:20, po nisej për në punë. Por, sapo ka zbritur nga shtëpia, së bashku me mallin (bizhuteri floriri) që e tregtonte teksa e ekspozonte në një dyqan që kishte marrë me qira te tregu industrial, është sulmuar nga tre persona të armatosur. Ata i kanë kërkuar menjëherë bashkëpunim 40-vjeçarit, ndërkohë që e kanë kërcënuar se do ta vrisnin po të bënte rezistencë. Pasi i kanë marrë çantën që tregtari mbante në krah, grabitësit i kanë marrë edhe çelësat e mjetit, me qëllim që 40-vjeçari të mos i ndiqte pas. Pasi arritën objektivin, ata i kanë kërkuar tregtarit të mos e kthente kokën pas dhe janë larguar me shpejtësi me një mjet që i priste vetëm pak metra nga vendi ku u zhvillua ngjarja. Të alarmuar, familjarët e Biçakut arritën të lajmëronin policinë. Kjo e fundit, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, që nuk është shumë larg nga Drejtoria e Policisë, nisi nga puna për zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorëve. Pas marrjes së sinjalit, Policia ngriti disa postblloqe në kryqëzimet e qytetit, me qëllim kapjen e hajdutëve. Këta të fundit, që mendohet të jenë katër, arritën që të largohen pa rënë në sy të Policisë, së bashku me bizhuteritë e vjedhura, që sipas tregtarit arrijnë vlerën e 60 mijë eurove. Kjo është grabitja e dytë që i bëhet familjes Biçaku, pasi disa muaj më parë preh e hajdutëve është bërë vëllai i 40-vjeçarit, i cili ushtron të njëjtin zanat dhe tregton po atë mall. Vetëm disa minuta pasi u regjistrua grabitja në lagjen Nr. 8, policia mori sinjal se në vendin e quajtur “Ura e Fllakës”, që ndodhet në autostradën Durrës-Tiranë, është gjetur një mjet i djegur. Mjeti tip “Benz”, me targa të kryeqytetit, por jo të rregullta, është djegur tërësisht. Policia, e cila deri më tani nuk ka zbuluar se kujt i përket mjeti, dyshon se ai mund të jetë përdorur në grabitje. Sipas ekspertëve, do të jetë shumë e vështirë gjetja e provave që mund të sjellin ndonjë identifikim të drejtuesit apo edhe pasagjerëve që kanë udhëtuar me të, pasi pjesët e brendshme të kabinës së tij janë bërë shkrumb e hi. Ekspertët që punuan në të dyja vendet e ngjarjeve, si në lagjen Nr. 8, ashtu edhe në Fllakë kanë marrë prova dhe po i krahasojnë ato për të kuptuar nëse është pikërisht i njëjti mjet. Disa ditë më parë, në qendër të qytetit dhe në mes të ditës u grabit një kambist. Dy persona, të cilët kishin mbuluar fytyrën me maska, pasi e kanë goditur kambistin prapa koke me fundin e pistoletës i morën atij rreth 30 mijë euro.

© Panorama.al

Te lidhura