
Një tjetër kufomë është zbuluar dje në bregdetin e Durrësit, duke e çuar në dy numrin brenda harkut të tri ditëve. Të dy trupat e pajetë janë gjendur nga peshkatarët e zonës. Sipas Policisë, kufomat janë rreth 35-40 vjeç dhe dyshohet se mund të jenë marinarët e anijes tregtare turke “Reina 1”, e cila u fundos pas përplasjes me tragetin e linjës “Durrës-Bari”, në orët e para të mëngjesit të datës 20 tetor. Që nga kjo datë, kur tetë marinarët u shpallën të zhdukur brigjeve të Adriatikut, janë gjetur katër persona rreth të dyzetave. Dy prej tyre janë gjetur gjatë tri ditëve të fundit në Durrës. Ndërsa dy të tjerë, në një ishull në afërsi të Dubrovnikut në Kroaci, më 19 nëntor, rreth një muaj pas mbytjes së “Reina 1”.
Mësohet se gjatë ditës së djeshme në Porto-Romano, teksa po ktheheshin nga gjuetia rreth një milje larg bregut, peshkatarët kanë vënë re se disa metra larg tyre, mbi sipërfaqen e ujit po pluskonte trupi i pajetë i një personi. Ata janë afruar, por tentativa për ta ngjitur trupin e pajetë në varkën e tyre ka rezultuar e kotë. Ata sinjalizuan menjëherë policinë për ngjarjen. Policia e rendit dhe ajo Kufitare janë nisur drejt vendit ku është njoftuar se është konstatuar një trup i pajetë. Pas një orë kërkimesh në det, Policia Kufitare ka mundur të konstatojë trupin, duke e nxjerrë më pas në breg. Sipas Policisë, trupi ishte i një mashkulli 35-40 vjeç, ende i paidentifikuar, me një gjatësi trupore 1.67 m, me flokë të zinj, ndërsa mbante të veshur vetëm një palë xhinse. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia u shpreh se ka shumë gjasa që t’i përkasë një prej marinarëve të zhdukur të anijes tregtare turke “Reina 1”, e cila u fundos pasi u përplas me tragetin e linjës “Durrës-Bari” rreth 20 milje larg bregut. Kjo është kufoma e dytë që është gjetur në ujërat e Adriatikut brenda tri ditëve të fundit nga ana e policisë lokale të Durrësit. Në Currila, në vendin e quajtur Plazhi i Kallmit, është gjetur trupi i dekompozuar i një mashkulli, i cili mbante të veshur një uniformë sportive në etiketën e së cilës shkruhej “Made in Turkey”, çka tregon se është një veshje e prodhuar në shtetin turk. Pikërisht uniforma të cilën mbante të veshur kufoma e bën edhe më të besueshëm faktin që trupat e pajetë mund të jenë marinarët e zhdukur. Dyshimet e policisë janë ngritur pas verifikimit të fotografive të personave që rezultojnë të zhdukur në vendin tonë. Sipas Policisë, nuk kanë ngjashmëri me kufomat e gjetura, një në breg të detit, të mbuluar nga gurëza dhe leshterikë të sjellë nga dallgët, si dhe kufomës së gjetur dje nga peshkatarët një milje larg bregut. Policia po punon me Ambasadën Turke në Tiranë për vënien në dispozicion të fotografive të tetë marinarëve të zhdukur, me qëllim krahasimin e ngjashmërisë me kufomat e gjetura. Ashtu sikurse trupi i pajetë i gjetur me herët, edhe kufoma e gjetur dje janë dërguar për kryerjen e ekzaminimeve të duhura në Institutin e Ekspertizës Mjekoligjore në Tiranë.
Mbytja e anijes
Anija tregtare turke “Reina 1” u fundos pasi u përplas me tragetin e linjës “Durrës-Bari”, në orët e para të mëngjesit të datës 20 tetor të këtij viti. Ngjarja ndodhi rreth 20 milje larg bregut. Kapiteni dhe zëvendëskapiteni arritën të shpëtojnë, ndërsa marinarët e tjerë nuk arritën të mbijetonin, pasi fundosja ndodhi në kohë të shpejtë. Deri tani janë gjetur katër kufoma, që dyshohet se janë të marinarëve, por ende nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me identitetin e dy kufomave të gjetura në Kroaci.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











