Klodian Duro vishet bardheblu. Duket se kjo çështje është mbyllur me një fund të lumtur, pasi mesfushori ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Tiranën. Elbasanasi jo vetëm që është prezantuar dje, por ka zhvilluar dhe seancën e parë stërvitore. Gjatë fjalës së tij për mediat, 33-vjeçari i premton titullin Tiranës. Ndër të tjera, mesfushori sqaron se kthimi në Shqipëri nuk e rrezikon pozicionin e tij në Kombëtare, duke shuar kështu zërat për mbylljen e mundshme të karrierës. “E quaj si një rikthim në shtëpi, pasi unë këtu kam luajtur për një kohë të gjatë dhe kam fituar trofe dhe nuk janë pak, por shumë. Këtë e konsideroj si një fillim të ri për veten, ndaj shpresoj që e ardhmja te Tirana të rezervojë fund të lumtur, që do të thotë të fitojmë trofe. Tirana, gjithnjë e ka pasur hapur derën për mua. Kjo vonesë erdhi për një arsye të thjeshtë, pasi doja të largohesha me dinjitet nga Austria. Me të mbyllur bashkëpunimin me ekipin e Lask Linzit, pranova ofertën. Kam nënshkruar një kontratë 2-vjeçare, me mundësi rinovimi për një sezon tjetër. Që do të thotë për tri vitet e ardhshme kjo do të jetë shtëpia ime”, ka pohuar Duro.











