
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka folur nga qyteti i Korçës për heqjen e imunitetit, duke theksuar se kjo është një çështje që nuk duhet të përdoret me hipokrizi nga klasa politike, por thjesht të diskutohet në një hapësirë të gjerë prej saj. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet seriozisht, e shoqëruar nga një debat i denjë, dhe jo të përdoret nga politikat në varësi të interesave të tyre. “PBDNJ ka qenë në frymën e zhvillimeve europiane, nuk ka arsye përse në vendin tonë të kemi një situatë të ndryshme në lidhje me imunitetet, krahasuar me realitetet europiane. Por, në të njëjtën kohë, çështje të tilla, të cilat janë të rëndësishme dhe delikate për funksionimin e sistemit politik dhe të shtetit, nuk duhet të bëhen objekt politikash apo mikropolitikash për interesa të vogla partiake. Nuk duhet të trajtohen me hipokrizi dhe nuk duhet të trajtohen në formën e fushatave të tipit komunist. Është momenti për një debat serioz, debat esencial dhe një rezultat që nuk do të ketë fitues dhe humbës”, deklaroi Dule.











