Dule: Regjistrimi po hidhet në erë, Pollo: Gjobë kush bojkoton

Sep 23, 2011 | 11:48

Regjistrimi i popullsisë sjell debate të ashpra në Parlament mes kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe ministrit përgjegjës për këtë proces, Genc Pollo. Pak ditë para nisjes zyrtarisht të procesit të regjistrimit, deputeti i minoritetit grek thirri në një interpelancë ministrin e Inovacionit, për masat e ndërmarra. Nga ana e tij, Pollo u shpreh se i gjithë i procesi do të kushtojë rreth 15.5 milionë euro dhe një pjesë e kësaj shume do të investohet për ruajtjen e konfidencialitetit. Në të njëjtën kohë ai hodhi poshtë akuzat se qeveria po bën presion ndaj pakicave. “Kam dëgjuar kohët e fundit reagime nga përfaqësuesit e ndryshëm të pakicave. Nuk më është dukur me vend që deputeti që përfaqëson një parti për të drejtat e njeriut dhe që interesohet për këtë çështje, në deklarimet e tij publike, ka akuzuar qeverinë se qëndron pas ekstremizmit, nxitjes së presionit ndaj pakicave. Kjo është një akuzë jo vetëm e padrejtë, por nuk nderon këdo që e bën”, u shpreh Pollo. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, duke kujtuar se ata që nuk do të marrin pjesë apo do të japin të dhëna të pasakta, do të penalizohen deri në 100 mijë lekë gjobë. “Nga cilido zë, nga cilado anë që të vijë thirrja për mospjesëmarrje dhe për bojkot, është një thirrje e dështuar. Jo vetëm në rangun individual mosbashkëpunimi me anketuesit sjell për pasojë gjobën prej 1 milion lekësh, por sepse sot jemi në një kontekst social, ekonomik dhe politik të tillë që asgjë nuk i justifikon veprimet ekstreme. Të gjithë janë të ftuar jo vetëm të marrin pjesë duke deklaruar jo vetëm gjuhën amtare, etninë dhe fenë, që në mënyrë paksa të tepruar kanë shoqëruar debatin për censusin, por të gjitha të dhënat e tjera”, u shpreh Pollo.
Më pas e mori fjalën kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili kritikoi ndryshimet e ligjit në muajin korrik, duke u shprehur se nuk ruhet konfidencialiteti dhe shkelet rëndë Kushtetuta. Sipas tij, në këto kushte po hidhet në erë i gjithë procesi i regjistrimit. “Po tjetërsohet e drejta e vetëdeklarimit. Në një anë pohohet se ke të drejtë të vetëdeklarohesh në liri, në anën tjetër penalizohesh se je vetëdeklaruar. Nga njëra anë pretendohet se ke të drejtën e vetëdeklarimit dhe vetëdeklarimi yt vihet në krahasim me të dhënat e gjendjes civile dhe prevalon e dhëna e gjendjes civile. Domethënë, dhuratë e padhuruar”, u shpreh Dule. Sipas tij, “Për këtë vetëdeklarim edhe penalizohesh, por duke u penalizuar ka emër dhe mbiemër. Qytetari që do të gjobitet, gjobitet me emër, mbiemër, me vlerën e gjobës dhe, rrjedhimisht, ne kemi hedhur në erë të gjithë procesin. Amendimet që iu bënë ligjit për censusin në korrik cenojnë dhe dëmtojnë rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në rastin konkret të anëtarëve të pakicave dhe minoriteteve kombëtare”.
Në përgjigje të kritikave të Dules, Pollo tha se pyetësori është sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Europian. Në fund, kreu i PBDNJ-së i bëri edhe njëherë thirrje qeverisë të bisedojë me minoritetet për të shpëtuar procesin. “Regjistrimi që ju organizoni me tendenciozitetin dhe paaftësinë tuaj është një regjistrim, i cili do të ndërlikojë problemet ekzistuese dhe do të krijojë probleme të reja. Thërrisni urgjentisht minoritetet, bisedoni me ata, asgjë e keqe nuk do t’ju gjejë, përkundrazi, do të arrini të garantoni procesin, ta shpëtoni atë qoftë edhe në këto momentet të fundit”.

Censusi, shtyhet mandati i konsullit grek në Korçë, Ikonomus

Teodoros Ikonomus

KORÇE – Konsulli i përgjithshëm grek në Korçë, Teodoros Ikonomus, do të jetë në krye të Konsullatës Greke të këtij qyteti edhe gjatë regjistrimit të popullsisë. Pavarësisht se mandati 2-vjeçar i Ikonomus përfundon në muajin shtator, burimet nga OMONIA konfirmojnë faktin e qëndrimit të tij gjatë procesit të regjistrimit dhe deri në daljen e rezultatit. Duket se zgjatja e qëndrimit të Ikonomus ka ardhur si rezultat i vlerësimit për punën e Ikonomus gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Korçës dhe deklaratave ndikuese për ta barazuar Juglindjen me Greqinë. Pak muaj më parë, Ikonomus, i shoqëruar nga disa politikanë grekë, deklaroi se qyteti i Korçës është Vorio-Epir. Ikonomus, në 20-vjetorin e themelimit të OMONIA-s në Korçë ka lëshuar thirrje antishqiptare ndërsa u ka kërkuar minoritareve të mos i tremben procesit të regjistrimit të popullsisë. Ai ka theksuar se ekzistojnë grekë në Korçë, ndërsa vllahët janë grekë, duke shtuar po ashtu se beteja vazhdon me regjistrimin e popullsisë. Duket se tentativat e konsullit për helenizimin e Juglindjes kanë gjetur miratimin edhe në shtetin fqinj, duke e parë si të arsyeshëm qëndrimin e tij gjatë një procesi aq të rëndësishëm siç është ai i regjistrimit të popullsisë. Ende nuk dihet nëse Ikonomus do të ketë një mandat të dytë në krye të Konsullatës Greke në Korçë, ndërsa mësohet se momentalisht ai nuk është duke zhvilluar takime apo intervistime me qytetarët dhe i ka caktuar ato përgjatë muajit tetor. Shërbimet konsullore vijojnë të kryhen në Konsullatën e Korçës, por nga titullari janë pezulluar të gjitha takimet individuale që kryhen me qytetarët për pajisjen e këtyre të fundit me viza 6-mujore. Janë pikërisht këto viza ato të cilat më tej mundësojnë nisjen e dokumentacionit në shtetin helen dhe aplikimin për të marrë pasaportën greke, gjë që për shumë shqiptarë nga Juglindja është tepër e dëshiruar.                            dh.d

© Panorama.al

Te lidhura