
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkoi dje pas tërheqjes së Artan Hoxhës që kandidati për President të vendit të jetë Fatos Nano.
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit po kthehet një proces fals dhe tregon dështimin e klasës politike. Deputetët duhet t’u përgjigjen sfidave në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Maxhoranca e dëshmoi se nuk mund ta zgjedhë Presidentin e Republikës me shumicë të thjeshtë. I drejtohem liderit të opozitës, z. Edi Rama, se në momente të tilla opozita nuk mund t’i shmanget rolit të saj. Është edhe kërkesë e shoqërisë të ofrojë alternativën e vet. Tani është momenti të shpëtojmë procesin, të shpëtojmë atë që ka mbetur. Të propozohet Nano, i cili do të ishte zgjidhja optimale”, tha Dule. Sipas kreut të PBDNJ-së, opozita duhet të kapërcejë të gjitha fobitë për Nanon dhe duhet ta kandidojë atë për postin e kreut të ri të shtetit. “Kandidatura e Nanos ka shumë shanse të sigurta. Është momenti që të kapërcehen të gjitha fobitë për Nanon”, shtoi ai.
Ndërkohë, në mbështetje të kandidaturës së Fatos Nanos u shpreh dje edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të ofrojë kandidaturën e Fatos Nanos për President, duke kujtuar se koha nuk premton dhe se zgjedhja e kreut të vendit duhet të bëhet shpejt. “Unë kam propozuar kandidaturën e Nanos në tryezën e bisedimeve të së dielës në një moment kur po hidheshin kandidatura të tjera. Për këtë gjeta mbështetjen e Ilir Metës”, tha Idrizi. Kryetari i PDIU-së theksoi se askujt në këtë vend nuk i interesojnë zgjedhjet e parakohshme, por në të njëjtën kohë u shpreh se zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës pavarësisht kostos që ato kërkojnë.











