Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ndodhet prej disa ditësh në Milano. Ai ka nisur një seri takimesh me trajnerë italianë, si kandidatë për të marrë drejtimin e Kombëtares kuqezi. Media italiane bën të ditur se kreu i FSHF-së ka planifikuar takime me Xhuzepe Pilon (ish-trajner i Empolit), Xhankarlo Kamoleze (ish trajner i Torinos), Xhani de Biazi (ish trajner i Udinezes) dhe Benito Karbonen (ish-trajner i Varezes). Ndërkohë, me italianin Mario Bereta (ish trajner i Breshias) ka pasur një takim në Vjenë, disa ditë më parë. Me shumë gjasa, tekniku i ardhshëm i përfaqësueses mund të jetë një italian, por duket qartazi që prej kandidatëve të përmendur, askush nuk ka eksperiencë me një ekip kombëtar dhe as me klube prestigjioze, por të një niveli dytësor në kampionatet e vendit fqinj. Prej disa javësh, presidenti Armand Duka ka qenë vazhdimisht në udhëtim, ku përveç impenjimeve, siç ishte shorti i Euro 2012-s, ka pasur edhe bisedime me kandidatë të mundshëm për pasardhës të Josip Kuzhesë, në krye të ekipit tonë kombëtar.











