Duka në Itali, brenda javës tekniku i ri

Dec 10, 2011 | 13:47
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Brenda javës së ardhshme (madje mediat italiane pohojnë se e shumta të martën) Shqipëria do ketë një trajner të ri për ekipin e saj përfaqësues. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shkuar sërish dje në Itali, ku ka lënë takime me tre kandidatë të mundshëm për trajner: Mario Bereta, Benito Karbone dhe Xhani de Biazi. Burime të sigurta në FSHF bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Duka ka piketuar njërin mes Beretës dhe De Biazit. Sipas tij, që të dy këta trajnerë mund t’i bëjnë punë Shqipërisë, pasi janë edhe në kuota financiare të pranueshme për xhepin e federatës. Ndërsa mediat italiane dje kanë proklamuar në mjaft uebsajte se më i kuotuari për të marrë drejtimin e ekipit tonë është Karbone. Sipas tyre, ai kishte fituar së fundmi konkurrencën e kolegëve të tij. Sakaq, ky i fundit mësohet se deri tani ka bërë takime me Beretën, De Biazin, Karbonen, Di Kanion, Pilonin dhe Kamolezen.

© Panorama.al

Te lidhura