
E ardhmja e Josip Kuzhesë në krye të pankinës kuqezi është realisht në dilemë. Trajnerit i përfundon kontrata në fund të këtij viti dhe ende nuk flitet për një rinovim të mundshëm për kualifikimet e Botërorit 2014.Këtë fakt e shtojnë më shumë edhe deklaratat e djeshme të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili ka të drejtën ekskluzive për emërimin, rinovimin dhe shkarkimin e trajnerit të përfaqësueses. Para nisjes për në Luksemburg, Duka ka pohuar se tekniku nuk e ka ende të sigurt rinovimin dhe se gjithçka do të vendoset në përfundim të kualifikimeve. “Janë edhe tri ndeshje kualifikuese shumë të rëndësishme për ne, plus edhe ndonjë miqësore, ndaj nuk mund të flasim ende për diçka të sigurt”, ka pohuar Duka.
Luksemburgu – Fakt është se trajneri deri tani ka punuar më shumë për të tashmen dhe aspak për të ardhmen, çka vërteton edhe dyshimet për rinovimin e kontratës së tij. Por, sipas të gjitha gjasave, një rol të rëndësishëm në rinovimin ose jo të kontratës së Kuzhesë mund të ketë rezultati i ndeshjes së nesërme ndaj Luksemburgut. “Jemi përpara një ndeshjeje shumë të vështirë. Edhe pse teorikisht duket si e lehtë, unë mendoj se është e një vështirësie maksimale, sepse ne na duhen me patjetër tri pikët për të arritur objektivat tanë. Gjykoj se, ashtu sikundër ne bëjmë llogari, edhe kundërshtari e shikon si të vetmen ndeshje ku mund të marrë pikë, ndaj duhet pasur shumë kujdes. Unë uroj që të fitojmë dhe nuk dua të mendoj tjetër rezultat”, ka pohuar Duka.
Rinovimi – Referuar ndeshjes me Francën, presidenti Duka ka pohuar për herë të parë se skuadra përfaqësuese është disi e plakur, ndaj duhet një rinovim i saj në masën 40 për qind. Gjithsesi, sipas Dukës kjo gjë duhet bërë në përfundim të kualifikimeve. “Skuadra kombëtare duhet rinovuar me patjetër në masën 40 për qind të saj. Gjithsesi, unë jam i mendimit që kjo gjë duhet bërë në përfundim të këtij sezoni kualifikimesh. Kombëtarja duhet të paraqitet me një fytyrë të re në ndeshjet për Botërorin e 2014-s dhe teorikisht do ketë gati 1 vit kohë që të përgatitet”, ka përfunduar Duka. Nisur nga kjo deklaratë, sipas të gjitha gjasave, lojtarë si Ervin Skela dhe Klodian Duro, që aktualisht janë pa skuadër, por edhe kapiteni Altin Lala, i cili ka deklaruar vetë që në fund të edicionit do të largohet nga Kombëtarja, mund të luajnë takimet e fundit me fanellën kuqezi. Nuk mbetet pas edhe 34-vjeçari Erjon Bogdani, por në rastin ë këtij të fundit do të merret për bazë edhe aktivizimi i tij në kampionatin italian për këtë sezon, sërish me Çezenën.
Kuzhe: Në Luksemburg edhe barazimi, humbje për ne
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, e cilëson si humbje një barazim të mundshëm të skuadrës në sfidën ndaj Luksemburgut. Kroati i pankinës kuqezi, pak para nisjes së skuadrës nga Aeroporti “Nënë Tereza”, ka folur për mediat, duke vënë në dukje edhe shqetësimin që ka rreth mungesave. Për Kuzhenë, sfida me modestët e Luksemburgut vlerësohet si shumë e vështirë. “Kjo është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Duhet të dimë se kundërshtari e shikon sfidën me Shqipërinë si të vetmin rast për të marrë pikë. Përveç kësaj, ne nuk e kemi të gatshëm ekipin në 100% të tij. Më duhet të pranoj se kemi probleme të mëdha në mbrojtje, si pasojë e mungesave. Megjithatë, jam i ndërgjegjshëm se nuk na lejohet asnjë hap fals kundër Luksemburgut. Mendoj se në këtë ndeshje edhe barazimi do të ishte si një humbje për ne. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën e tyre dhe të arrijmë fitoren. Nuk ka rrugë tjetër kundër Luksemburgut”, është shprehur Kuzhe. Për trajnerin kroat, ndërtimi i formacionit është kthyer tashmë në një “dhimbje koke”. Mungesa e katër titullarëve Dallku, Cana, Curri dhe Lila, ia ka bërë të vështirë përzgjedhjen trajnerit. “Nuk kam ende një ide fikse. Do të shikojmë në stërvitjen e fundit dhe pastaj do të vendosim. Sigurisht që nuk kam luksin të kem ekipin më të mirë të mundshëm, kjo për mungesat si pasojë e dëmtimeve dhe pezullimeve, por, gjithsesi, do të mundohemi që të bëjmë presing dhe të kërkojmë golin që nga minuta e parë. Pres që Luksemburgu të luajë i ngjeshur në mbrojtje, ndaj them se sulmuesit tanë do të kenë shumë probleme që të gjejnë hapësira për të shënuar”, ka shtuar Kuzhe.
Luksemburgu, shansi i Veliut
Mbrojtësi i talentuar vlonjat, Franc Veliu, pritet të bëjë debutimin zyrtar me fanellën kuqezi në ndeshjen e nesërme kundër Luksemburgut. Nisur nga mungesat në repartin difensiv, trajneri Kuzhe do t’i besojë një vend në formacion lojtarit 23-vjeçar. Kjo është një provë e madhe për mbrojtësin, i cili nesër ka shansin për të bindur trajnerin kroat, në mënyrë që të mos e diskutojë më grumbullimin në Kombëtare. “Unë do të jem i gatshëm sa herë që trajneri Kuzhe të më grumbullojë. Sigurisht, jam i kënaqur që tashmë bëj pjesë në Kombëtare, por do të isha më i lumtur nëse do të aktivizohesha. Jam i bindur që do ta justifikoj plotësisht besimin e trajnerit”, është shprehur mbrojtësi i Flamurtarit.
Rikthimi i Vrapit: Jam gati!
Endri Vrapi është i lumtur që trajneri Josip Kuzhe e riktheu në Kombëtare. Mbrojtësi i Skënderbeut, në një bisedë për “Panorama Sport”, ka thënë ndër të tjera se është gati të japë maksimumin e tij. “Sa herë që Kombëtarja të ketë nevojë për mua, jam gati. Është ndryshe kur luan për një klub dhe ndryshe për Kombëtaren. E falënderoj trajnerin për besimin që më ka dhënë. Nëse më jepet mundësia të luaj, do të bëj maksimumin”, ka thënë Vrapi për “Panorama Sport”. Mbrojtësi tiranas është grumbulluar rregullisht në Kombëtare vitet e fundit. Një nga ndeshjet, që vetë lojtari do ta mbajë mend gjatë, është barazimi 0-0 në Portugali. Vrapi u fut në fushë në një moment kur ishte i bindur që s’do luante.
Curri, tri jave jashte fushave
Mesfushori kosovar i Kombëtares, Debatik Curri, do të qëndrojë tri javë larg fushave, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen kundër Francës. Burime pranë stafit mjekësor të ekipit përfaqësues konfirmuan për “Panorama Sport” se kosovari u kontrollua të shtunën në një nga klinikat e Tiranës dhe diagnoza e dëmtimit ishte tërheqje e gradës së dytë. 27-vjeçari është i pafat, teksa qëndroi 7 muaj pa luajtur dhe tashmë dëmtohet përsëri. Gjithsesi, këtë herë nuk ka ndonjë dëmtim të rëndë, edhe pse i duhet të pushojë minimalisht 3 javë. Curri ka dalë i dëshpëruar nga stadiumi “Qemal Stafa”, teksa nuk ka pranuar të flasë për mediat.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











