Duka, 3 “urdhra” De Biazit

Dec 28, 2011 | 14:19

Armand Duka e Xhiani de Biazi

“Synojmë miqësore me Italinë ose Francën. Hasi më zhgënjeu”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka pohuar se institucioni i futbollit po përpiqet që pas miqësores me Gjeorgjinë, më 29 shkurt, të mund të sigurojë një ndeshje luksi me ndonjë kundërshtar të nivelit të lartë. “Momentalisht jemi në bisedime me Italinë dhe Francën për një ndeshje miqësore, por nuk e dimë nëse do të realizohet ose jo”, ka thënë kreu i FSHF-së në një takim me gazetarët. Më tej, ai ka treguar edhe disa nga prapaskenat me Hasin, por në fillim ka kritikuar Kuzhen për mungesën e Disiplinës dhe i ka bërë të qartë De Biazit se duhet t’u bëjë të qartë lojtarëve se askush s’e ka vendin të sigurt. “Me Besnik Hasin kam pasur kontakte pas ndeshjes me Luksemburgun. Duke e respektuar si ish-kapiten dhe për karakterin e fortë mendova që t’ia besonim atij ekipin përfaqësues dhe të kishim një trajner shqiptar. Ia propozova postin e trajnerit dhe pothuajse ramë dakord. Para ndeshjeve miqësore të nëntorit, Redi Jupi, që është edhe drejtori i ekipeve kombëtare, kishte folur me Hasin dhe gjërat ishin në vijë. Gjithsesi, u surprizova shumë për vendimin që mori Hasi pas takimit që pati me drejtuesit e Anderlehtit”, është shprehur Armand Duka. Më pas, ai ka folur edhe për teknikun aktual. “De Biazi nuk është një bast për mua, pasi ai ka përvojë të gjatë si trajner. Bast do ishte Benito Karbone ose Besnik Hasi, sepse nuk kanë eksperiencë. Ata mund të bënin shumë gjëra të mira në Kombëtaren tonë, por ama edhe nuk mund të bënin asgjë. Ky do të ishte bast. Dua të them, bast si Guardiola te Barcelona, pasi në fillim nuk kishte përvojë. Megjithatë, unë dua që De Biazi të ketë ekip me alternativa, pra me lojtarë cilësorë në të gjitha repartet. Mendoj se De Biazi duhet t’ua bëjë të qartë lojtarëve se askush nuk duhet ta ketë vendin e sigurt në ekip. Mendoj se duhet të ketë më shumë disiplinë. Ne kemi nevojë për disiplinë dhe kontroll më të fortë”, ka deklaruar kreu i FSHF-së. Ndërkaq, ai ka lënë hapur të kuptohet se Kuzhe në disa raste nuk e pati në dorë skuadrën dhe se në periudhën e tij, disiplina nuk ishte në parametrat e duhur për një ekip kombëtar. “Mendoj se fati i Kuzhesë u vulos pas ndeshjes me Luksemburgun, ku pësuam një nga humbjet më të hidhura. Mendoj se Shqipëria duhej dhe duhet të bëjë më shumë punë në rinovimin e ekipit përfaqësues dhe gjithashtu të ketë një numër më të madh lojtarësh në dispozicion”, ka shtuar Duka. Sakaq, FSHF-ja është në negociata me Italinë dhe Francën për një miqësore luksi në vitin 2012. “Synohet një miqësore me një skuadër të nivelit të lartë dhe ndër federatat me të cilat po negociojmë, janë edhe Italia me Francën. Megjithatë, të shohim, sepse jo gjithçka është në dorën tonë. Nuk mund të flasim me siguri të plotë që tani”, ka pohuar drejtuesi i federatës.

Shkodranët në Bullgari për Vajushin
E ardhmja e Armando Vajushit duket gjithmonë e më larg skuadrës së Vllaznisë. Pas pakënaqësive të shprehura hapur nga ana e sulmuesit në lidhje me pagën që merrte te skuadra shkodrane, në ditët në vijim do të vijë edhe largimi i tij. Duket se drejtuesit shkodranë nuk kanë në plan të mbajnë në skuadër një futbollist jashtë dëshirës së tij, ndaj dhe kanë vendosur të hyjnë në bisedime me klubin e Liteksit. Burime të sigurta nga klubi shkodran kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se personat përgjegjës për kontratën e lojtarit do udhëtojnë drejt Bullgarisë për të folur për kushtet e transferimit, por nuk mohohet mundësia edhe e firmosjes së ndonjë kontrate.

© Panorama.al

Te lidhura