“Duam qeveri teknike, jo partiake!”- Aktivisti Andi Tepelena: Kodi Zgjedhor ka marrë peng demokracinë, duhet garë e barabartë

Jul 13, 2026 | 20:45

Nga protesta para Kryeministrisë, aktivisti Andi Tepelena deklaroi se, krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit kërkojnë edhe krijimin e një qeverie teknike.

Sipas tij, kjo qeveri duhet të jetë jopartiake dhe të përbëhet nga profesionistë, me qëllim reformimin e sistemit zgjedhor.

“Ne kërkojmë një qeveri teknike, jo partiake, e përbërë nga njerëzit më të mirë të këtij vendi, nga talentet më të mira që ka vendi. Dhe Shqipëria është plot me të tillë. Nga ky shesh, nga diaspora e kudo. Kjo le të jetë qeveria teknike, sepse duam një kod zgjedhor”, tha ai.

Aktivisti deklaroi se Kodi Zgjedhor aktual ka dëmtuar garën e barabartë politike dhe e ka marrë peng demokracinë.

Andi Tepelena: Patjetër që pika një është e panegociueshme, nuk ka njeri që e kundërshton. Por edhe pika dy është shumë e rëndësishme, krijimi i një qeverie teknike.

Ne kërkojmë një qeveri teknike, jo partiake, e përbërë nga njerëzit më të mirë të këtij vendi, nga talentet më të mira që ka vendi. Dhe Shqipëria është plot me të tillë.

Nga ky shesh, nga diaspora e kudo. Kjo le të jetë qeveria teknike, sepse duam një kod zgjedhor. Ky kod zgjedhor e ka marrë peng demokracinë. Është një lojë e ndyrë politike që bëhet që nga viti 2008, ku bëhen pazare politike dhe nuk ka garë të barabartë.

Ne duam një garë të barabartë dhe kushdo të jetë i lirë të garojë. Nuk mund të kemi komisione politike. Jo. Duam komisione të depolitizuara, duam akses të barabartë në fondet politike. kod zgjedhori është çelësi i demokracisë, do çlirohej sistemi politik.

© Panorama.al

Te lidhura