Në protestën e 44-të para Kryeministrisë, aktivisti Andi Tepelena u ndal te qëndrimi i ambasadorit gjerman në Tiranë, Karl Bergner, duke e cilësuar si një mbështetje për protestën paqësore të qytetarëve.
Tepelena tha se Gjermania, si një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian, ka qenë historikisht pranë shqiptarëve dhe se sot po riafirmon rëndësinë e respektimit të vlerave demokratike dhe lirisë së tubimit.
“Më 13 korrik të vitit 1990, shtetet mike të vendeve të Perëndimit ndihmuan shqiptarët të largoheshin për një jetë më të mirë, mes tyre edhe Gjermania. Sot, pas 36 vitesh, Gjermania është sërish në krah të shqiptarëve”, tha ai.
Sipas aktivistit, deklaratat e ambasadorit gjerman për lirinë e tubimit, janë një mesazh i rëndësishëm për protestën që vijon prej 44 ditësh në Tiranë.
“Për herë të dytë brenda pak ditësh, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ka riafirmuar publikisht rëndësinë e procesit paqësor si një e drejtë themelore dhe demokratike. Në një njoftim pas takimit me drejtoreshën e Komitetit të Helsinkit, më 9 korrik, ambasadori vlerësoi punën e tyre, ndërsa në qendër të diskutimit ishte liria e tubimit. Këto deklarata janë një mbështetje e qartë për protestën paqësore që zhvillohet në Tiranë”, u shpreh ai.
Andi Tepelena: Sot, pas 36 vitesh, ndodhemi në një regjim të ri. Në një regjim i cili po i detyron shqiptarët të largohen dita-ditës. Shqipëria po shpopullohet në mënyrë dramatike. Fshati është boshatisur, shqiptarët shkojnë dhe nuk kthejnë kokën më mbrapa.
Por ka një muaj që ka lindur një shpresë e madhe. Qytetarët shqiptarë, rinia, janë ngritur për të shporrur sërish këtë regjim, aty ku e lamë në ’91-shin. Janë këta të rinj që jetojnë këtu dhe ata të diasporës, të cilët mezi presin që të çlirohet ky sistem korruptiv, që të rrëzohet kjo kastë politike që po mban peng zhvillimin e vendit.
Shqipëria është e mbushur me talente, sipërmarrës, njerëz të talentuar në inxhinieri, mjekësi dhe në çdo fushë. Dhe janë ata që do të marrin fatin e vendit në dorë.
Më 13 korrik të vitit 1990, shtetet mike të vendeve të Perëndimit ndihmuan shqiptarët të largoheshin për një jetë më të mirë, mes tyre edhe Gjermania. Sot, pas 36 vitesh, Gjermania është sërish në krah të shqiptarëve.
Dua t’ju lexoj një lajm shumë të mirë, për herë të dytë brenda pak ditësh, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ka riafirmuar publikisht rëndësinë e procesit paqësor si një e drejtë themelore dhe demokratike.
Në një njoftim pas takimit me drejtoreshën e Komitetit të Helsinkit, më 9 korrik, ambasadori vlerësoi punën e tyre, ndërsa në qendër të diskutimit ishte liria e tubimit. Këto deklarata janë një mbështetje e qartë për protestën paqësore që zhvillohet në Tiranë.
© Panorama.al











