GJIROKASTËR – Bllokohen në autobusin Kakavijë-Tiranë 5 kg marijuanë. Ermal Çela, 28 vjeç, banues në kryeqytet, u ndalua pasi u identifikua si posedues dhe transportues i lëndës narkotike. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama”, se ka qenë ora 17:50 e së hënës, kur specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ishin vënë në dijeni në rrugë operative, se në një autobus të linjës Kakavije-Tiranë ndodhej një person me një çantë me drogë. Menjëherë, specialistët e këtij Sektori në bashkëpunim me Postbllokun e Policisë, i instaluar në dalje të qytetit Gjirokastër, i përbërë nga Policia e Rendit, ajo e Qarkullimit dhe nga agjentë të Sektorit Kundër Narkotikëve, kanë ndaluar autobusin, 30 minuta pasi kishte hipur i dyshuari. Sapo kanë hyrë në bordin e tij, forcat e Policisë, kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në të gjithë hapësirën e mjetit të udhëtarëve. Në pjesën fundore të autobusit, policia ka identifikuar disa çanta ku në njërën prej tyre, u gjetën disa pako të mbështjella me letër natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të llojit marijuanë. Brenda të njëjtës çantë, është gjetur edhe një qese plastmasi me marijuanë në formë boçe. Menjëherë autobusi së bashku me dhjetë pasagjerë është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe proceduriale, u zbulua si posedues i marijuanës 28-vjeçari, Ermal Çela. Gjatë intervistimit në Policinë e Gjirokastrës, Çela ka pranuar se drogën 5 kg e kishte blerë në Lazarat me qëllim shitjen e saj në sasi të vogla në ambientet universitare, pub-e dhe klubet e natës në kryeqytet. Policia ka sekuestruar marijuanën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka arrestuar në flagrancë Ermal Çelën për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Drejtuesi i autobusit dhe pasagjerët në të, janë lënë të lirë të vazhdojnë udhëtimin drejt kryeqytetit, ndërsa materialet i kaluan organit të akuzës, për veprime të mëtejshme. Në një hark kohore prej 24 orësh, Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar mbi 6 kg marijuanë dhe ka arrestuar dy posedues të saj prej të cilëve, njëri kosovar. Në të dy rastet autorët kanë pranuar akuzat, duke u shprehur se do ta shpërndanin me doza të vogla nëpër ambiente shkollore e lokale. p.n











