Drogë e vrasje në Itali, arrestohen 15 shqiptarë

Sep 13, 2011 | 12:03
Hysni Burgaj, dje në konferencë shtypi me përfaqësuesen e palës italiane

Një operacion i përbashkët i Policisë shqiptare dhe Policisë italiane që zgjati tri ditë, ka vënë në pranga 15 persona në 8 qytete.Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i cili tha se të arrestuarit ishin shpallur në kërkim nga Drejtësia italiane për trafik droge, prostitucion, vrasje e armëmbajtje pa leje. Aksioni është realizuar me asistencën e oficerëve italianë të kontaktit, ndërsa veprimet kanë filluar në Laç me arrestimin nga forcat speciale RENEA të Ylli Ndoit, një prej të shumëkërkuarve nga Italia për vrasje dhe i arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Milano. Ndoi, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, është dënuar nga Gjykata e Milanos me 21 vjet e 10 muaj burg për “trafikim të lëndëve narkotike”, “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “arratisje nga burgu i sigurisë lartë”. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta të tipit “Zastava” dhe “Ekol” me krehrat përkatës me fishekë. Ndër 15 shqiptarët e arrestuar për llogari të Italisë, është edhe vëllai i futbollistit të njohur të Kombëtares, Hamdi Salihi. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, Astrit Salihi u arrestua në Shkodër, pasi Prokuroria e Breshias ka urdhëruar ndalimin për veprat penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale, e finalizuar me kryerjen e krimeve për shkeljen e ligjit për narkotiket, posedimin, transportimin dhe importimin e lëndëve narkotike në Itali. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaroi dje se për të gjithë personat e arrestuar do të nisë hetimi i pasurive, të cilat do të sekuestrohen.

OPERACIONI
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, doli dje në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se, në sajë të një operacioni të përbashkët mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane, janë arrestuar 15 shtetas shqiptarë të kërkuar nga Italia për krime të rënda. “Ky operacion i rëndësishëm është organizuar dhe zhvilluar nga data 8 shtator 2011 deri më datë 11 shtator 2011 nga strukturat e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Departamentin për Sigurinë Publike, Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë së qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Tiranë. Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore italiane dhe Zyrën e Ndërlidhjes Interforze të Policisë italiane në Shqipëri”, u shpreh Burgaj gjatë deklaratës së tij. Gjithashtu numri një i Policisë së Shtetit u shpreh se “nga strukturat e Policisë së Shtetit do të hetohen dhe pasuritë e këtyre shtetasve, duke konkluduar, sipas rastit, edhe me sekuestrimet e tyre në përputhje me aktet ligjore”.

TE ARRESTUAR

1. Ylli Ndoi, 34 vjeç, i dënuar me 21 vjet e 10 muaj burg për “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Arratisje nga burgu i sigurisë së lartë”.
2. Astrit Salihi, 33 vjeç, i akuzuar për “Pjesëmarrje në organizata kriminale” .
3. Naim Dervishi, 50 vjeç, i akuzuar për “Mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”.
4. Hektor Dumo, 35 vjeç, i akuzuar për “Trafik të lëndëve narkotike”.
5. Gentian Abdyli, 37 vjeç, i akuzuar për “Vrasje”.
6. Ilia Beci, 46 vjeç, i dënuar me 12 vjet burg për “Trafikim të qenieve njerëzore, trafikim të të miturve dhe marrje pjesë në organizata kriminale”.
7. Lefter Aliu, 57 vjeç, i dënuar me 12 vjet burg për “Trafikim të qenieve njerëzore, trafikimi të të miturve dhe marrje pjesë në organizata kriminale”.
8. Arben Lamçja, 37 vjeç, i dënuar me 14 vjet burg, për “Shfrytëzim prostitucioni”.
9. Ferdinand Dedja, 34 vjeç, i akuzuar për “Vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje dhe shfrytëzim prostitucioni”.
10. Genti Dedja, 38 vjeç, i akuzuar për “Vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje e shfrytëzim prostitucioni”.
11. Myrteza Toto, 49 vjeç, i dënuar me 22 vjet e 6 muaj burg, për “Krijim të organizatës kriminale me qëllim trafikim të narkotikeve”.
12. Mikel Çuçaj, 38 vjeç, i dënuar me 14 vjet burg për “Shkelje të ligjit mbi narkotikët”.
13. Altin Liçaj, 34 vjeç, i dënuar me 14 vjet burg për “Shkelje të ligjit mbi narkotikët”.
14. Agim Belba, 48 vjeç, i dënuar me 4 vjet e 10 muaj burg për “Vrasje me dashje”.
15. Tarzan Mullaj, 40 vjeç, i dënuar me 6 vjet burg, për “Favorizim emigracioni klandestin në rrethana rënduese, rekrutim femrash me qëllim prostitucioni, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni me minorene”.

Ekstradimet Itali-Shqipëri, hyn në fuqi marrëveshja
TIRANE – Arrestimet për llogari të Drejtësisë italiane të publikuara dje nga Policia e Shtetit, kanë ardhur si rrjedhojë e hyrjes në fuqi, kohët e fundit, të një marrëveshjeje mes dy vendeve për ndihmë juridike në fushën penale. Në bazë të marrëveshjes, në nenin 18 të saj mbi “ekstradimin e shtetasve” parashikohen dorëzimet e ndërsjella të shtetasve ndaj të cilëve ekziston ndjekje penale. “Palët Kontraktuese marrin përsipër, në mënyrë të ndërsjellë, të dorëzojnë shtetasit e tyre që ndodhen në ndjekje penale nga njëra prej tyre për kryerjen e veprave penale, ose që janë shpallur në kërkim për vuajtjen e dënimit apo të një mase shtrënguese, në përputhje me normat dhe kërkesat e Konventës Europiane mbi Ekstradimin”, thuhet në pikën 1 të këtij neni. Në pikën dy të tij pohohet se “Palët Kontraktuese nuk mund të ngrenë shtetësinë si arsye për refuzimin e dorëzimit”. Në vijim, në marrëveshje saktësohen edhe organizmat ku bëhen kërkesat për ekstradim. Në marrëveshje parashikohen edhe kërkesa e forma të veçanta të ndihmës juridike, si pyetjet nëpërmjet lidhjeve audio-vizive, pyetjeve të dëshmitarëve e të ekspertëve nëpërmjet lidhjeve telefonike, dorëzimet e kontrolluara, skuadrat e përbashkëta hetimore, e ndër të tjera, edhe infiltrimet. Në nenin rreth skuadrave të përbashkëta hetimore thuhet se “autoritetet kompetente të Palëve Kontraktuese mund të krijojnë me marrëveshje të përbashkët një skuadër të përbashkët hetimore, për një qëllim të caktuar dhe një afat të kufizuar, i cili mund të zgjatet me aprovimin e Palëve Kontaktuese, për të kryer hetime të një natyre penale, në territorin e palëve”. “Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, si shtesë e Konventës Europiane për Ekstradimin, të 13 dhjetorit 1957 dhe e Konventës Europiane për Ndihmë Juridike për Çështjet Penale, të 20 prillit 1959, që ka si qëllim të lehtësojë zbatimin e tyre”, u ratifikua nga pala shqiptare në vitin 2008. Por, ajo ka marrë fuqi ligjore vetëm pak kohë më parë, kur u ratifikua edhe nga pala italiane.

© Panorama.al

Te lidhura