Drogë drejt Greqisë, ja zonat problematike

Sep 26, 2011 | 9:20

Janina dhe Gumenica vazhdojnë të jenë dy zonat me përmasat  më të mëdha të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.Sipas policisë greke disa qindra kilogramë hashash janë bllokuar gjashtë muajt e fundit në brezin kufitar të të dy vendeve. Policia greke flet për një aktivitet të rritur të trafikantëve,  sidomos gjatë sezonit turistik.

Kufiri verior  i Greqisë me Shqipërinë vazhon të jetë në shënjestër të trafikantëve të lëndëve narkotike. Policia greke  thotë se zonat e Janinës dhe Gumenicës  në anën greke, fqinje me Gjirokastrën  dhe Sarandën në anën shqiptare  po njohin përmasat më të mëdha të transportimit të hashashit nga Shqipëria.

Vetëm gjashtë muajt e fundit policia greke ka bllokuar në brezin e kufirit tokësor disa qindra kilogramë lëndë narkotike. Pjesa  dërrmuese e personave të arrestuar kanë qenë shtetas grekë të cilët e transportonin lëndën narkotike nga zonat kufitare në drejtim të kryeqytetit grek Athinë.

Përmasat e trafikut të narkotikëve  u rritën sidomos gjatë sezonit turistik vërejnë mjetet greke të informimit. Policia greke vlerëson se pas frenimit të trafikut të emigrantëve të paligjshëm prej liberalizmit të vizave me Shqiëpërinë , trafikimi i lëndëve narkotike mbetet tani krimi më i përhapur në zonat ndërkufitare.

Disa prej rasteve të narkotikëve të bllokuar , sipas ekspertëve të policisë greke, kanë provuar se trafikantë të qënieve njërëzore tani janë përfshirë në transportim të bimëve narkotike. Kjo dëshmon sipas  policisë se këto rrjete  që kanë funksionuar  në disa nga  qytetet  kufitare të të dy vendeve po e zhvendosin aktivitetin  e tyre kriminal.

Ndërkaq shumica e sasisë së hashashit që transportohet drejt Greqisë,  sipas vlerësimit të policisë greke është kultivuar në fshatin Lazarat të Gjirokastrës . Kjo është zona më problematika e kultivimit vërejnë edhe specialistët shqiptarë të policisë. Këtë vit policia ka kryer një operacion në këtë fshat për të shkatëruar sipërfaqet e mbjella me bimën narkotike ndërkohë që vazhdon puna e efektivave policore për evidentimin e vatrave të tjera. (VOA)

© Panorama.al

Te lidhura