Droga, në gjyq turku i arratisur

Sep 7, 2011 | 11:00

TIRANE – Gjashtë muaj pasi Abdulselam Turgut, turku i akuzuar për supertrafik të drogës, theu masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe u zhduk pa gjurmë, Prokuroria e Tiranës e dërgon në gjykatë si të pandehur. Burime zyrtare të Gjykatës së kryeqytetit konfirmuan regjistrimin e çështjes me të pandehur shtetasin turk Abdulselam Turgut. Ai do të gjykohet për veprën penale të “largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Dosja në fjalë do të shqyrtohet nga gjyqtarja Antonela Prendi. Pritet që gjykimi ndaj turkut të zhvillohet në mungesë të tij, pasi që prej arratisë të tij ai nuk është gjendur më nga policia. Burimet pohuan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij procesi. Emri i Abdulselam Turgut, 44 vjeç, u lakua “zhurmshëm” pas lirimit të tij nga Apeli i Tiranës më 4 mars të këtij viti. Më herët ai ishte arrestuar në Aeroportin e Rinasit nga ana e Interpol Tiranës dhe Gjykata e Shkallës së Parë pati caktuar “arrest me burg” me afat 40 ditë ndaj tij. Gjykata e Apelit e ndryshoi këtë vendim në “arrest shtëpiak”. Më vonë policia nuk e gjeti më atë në banesën pretendohej se do të rrinte. Abdulselam Turgut dyshohet të jetë autori i trafikimit të një sasie prej një toni heroinë në Gjermani, si edhe një nga “kokat” e botës së nëndheshme të krimit ballkanas.        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura