
Rejdi Furrxhi është vetëm transportuesi i drogës së sekuestruar mbrëmjen e së hënës në Durrës. Burime nga Policia thanë se 33-vjeçari kishte për detyrë që t kalonte mallin për në brigjet e Italisë. Të njëjtat burime pohuan se drejtuesi i kamionçinës, nëse do të përmbushte misionin, do të përfitonte 150 mijë euro, por ky përfitim mbeti vetëm në tentativë. Në kamionçinën “Benz” me targë AA 078 Ç, që i arrestuari e kishte blerë, por e përdorte vetëm me akt-përdorim, u gjetën të fshehura 800 kg lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa, e cila synohej të trafikohej drejt Italisë. Malli, i cili ka karakteristikat e Cannabisit, ishte i paketuar dhe i futur në kuti kartoni. Sasia e lëndës në fjalë rezultoi e ndarë në 427 pako të peshave 1, 3 dhe 5 kg secila, ndërsa u tha se vlera e saj monetare pas shitjes shkon në qindra mijëra euro. Sasia prej 800 kg Cannabis është sasia më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në qytetin bregdetar. Sipas Policisë, po punohet për identifikimin e itinerarit të lëndës narkotike, si dhe përfshirjes së personave të tjerë në aktivitet. Burime konfidenciale thanë se lënda narkotike ka pasur si destinacion final Veriun e Italisë. Duke u nisur edhe nga sasia e madhe e mallit të sekuestruar, oficerët mendojnë se në këtë mes mund të jetë përfshirë një numër i madh personash. Sipas tyre, grupi është i ndarë në dy pjesë: njëra që vepron në Shqipëri, tjetra në Itali, ndërsa transporti bëhet me korrierë. Pikërisht njëri prej tyre ishte dhe i arrestuari i fundit, Rejdi Furrxhi, i cili e kryente shpeshherë këtë rrugë me qëllim blerjen e mallrave të ndryshme. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, ditët në vijim pritet të ketë të tjera arrestime që kanë të bëjnë me mallin e sekuestruar mbrëmjen e së hënës në portin më të madh të vendit. Droga prej 800 kg u kap nga struktura kundër krimit të organizuar dhe ajo e Policisë Kufitare dhe Migracionit rreth orës 21:00 të së hënës, në pikën kufitare të Portit të Durrësit. Oficerët e Antidrogës kishin dijeni se rreth kësaj ore, në sheshin e trageteve do të mbërrinte kamionçina e drejtuar nga shtetasi Rejdi Furxhi, 33 vjeç, banues në Durrës. 33-vjeçari kishte dashur që të shfrytëzonte lodhjen e oficerëve, të cilët janë të angazhuar me kontrolle të shumta gjatë orëve të paradites kur në port mbërrijnë të paktën 6000 persona në ditë. Sapo e kanë parë kamionçinën, njëri prej efektivëve të Qarkullimit Rrugor, i ka dalë përpara mjetit dhe i ka bërë shenjë drejtuesit që të hapte krahun. Sapo oficerët i janë afruar mjetit, 33-vjeçari ka treguar se në kamionçinë kishte ngarkuar lëndë narkotike. Sasia e lëndës narkotike është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së bashku me mjetin kamionçinë, ndërsa shtetasi Rejdi Furrxhi pret që sot ose nesër të dalë përpara togave të zeza për të mësuar masën që do të merret ndaj tij. Këto ditët e fundit, në pikën kufitare të Portit të Durrësit policia ka intensifikuar punën në drejtim të kontrollit e goditjes së veprimtarisë kriminale të favorizuar nga fluksi i lëvizjeve.
800 kg
rezultoi të ishte sasia e drogës së bllokuar në Portin e Durrësit mbrëmjen e së hënës, në tentativë për t’u transportuar drejt Italisë
150 euro
është shuma që do të përfitonte i arrestuari nëse do ta kalonte lëndën narkotike
drejt Italisë e më pas ta çonte në destinacion
DURRES/ Leonidha Musaj
© Panorama.al











