
GJIROKASTER/ Policia bllokon 150 kg marijuanë dhe 3 pistoleta. “Autorët, të veshur me antiplumb”
Pas 1 ore shkëmbim zjarri, arratisen në Greqi autorët
Policia e Gjirokastrës shkëmben zjarr për 1 orë me 6 trafikantë, të cilët përpiqeshin të kalonin në Greqi 150 kg marijuanë. Përplasja e armatosur mes trafikantëve të drogës dhe forcave policore është zhvilluar në “pyllin e Katundit”, në pjesën e sipërme të fshatit Dritë në komunën e Dropullit të Sipërm, në orën 03:00 të së enjtes. Krismat kanë vënë në gatishmëri policinë e Janinës, e cila ka përforcuar kufirin me forca shtesë për t’i bërë ballë ndonjë konflikti të mundshëm në pjesën greke. Burimet zyrtare thanë se Policia e Gjirokastrës ka qëlluar në ajër për të detyruar trafikantët të dorëzoheshin. Këtyre të fundit u është bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme të dorëzonin armët dhe mallin narkotik, por apelet kanë rezultuar të papranueshme nga ana e trafikantëve. Pasi u ka mbaruar municioni, të gjashtë trafikantët, katër prej të cilëve nga fshati Lazarat, kanë lënë armët përdhe, duke marrë rrugën për Greqi. Rojet kufitare helene, nga ana e tyre kanë hapur zjarr në drejtim të keqbërësve, por këta të fundit sipas policisë helene kanë qenë të pajisur me uniforma ushtarake dhe me maska e jelekë antiplumb. Nga vëzhgimi përmes pajisjeve termike të Policisë Kufitare Greke, rezultoi se gjashtë personat mbanin maskë dhe uniformë ushtarake njëngjyrëshe. Katër prej trafikantëve kanë qenë edhe më aktivët në përdorimin e armëve të zjarrit, të cilat u braktisën në momentin e arratisjes për në Greqi. Dy pistoleta kanë qenë të tipit “TT”, ndërsa një tjetër pistoletë ka qenë e prodhimit serb “Zastava”. Policia greke pranon se të gjashtë trafikantët mendohet se kanë hyrë në territorin helen me armë zjarri automatike, të cilat mesa duket nuk i kanë braktisur së bashku me pistoletat e tjera në territorin shqiptar. Të parët që identifikuan lëvizjen e trafikantëve në drejtim të kufirit me Greqinë kanë qenë punonjësit e Policisë së Sektorit Kundër Narkotikeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë. Operacioni antidrogë u pagëzua me emrin “Akulli”, për shkak të terrenit të akullt ku u përqendrua lufta mes trafikantëve dhe uniformave blu. Trafikantët kanë braktisur marijuanën 150-kilogramshe në një masiv shkurreje dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të një zone të pyllëzuar në territorin e shtetit fqinj. Grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje katër çanta të mëdha me marijuanë si dhe pistoletat. Policia e Gjirokastrës konfirmon se ka identifikuar të gjashtë trafikantët përmes provave të lëna në vendngjarje. Zëdhënësit i Policisë së Gjirokastrës, Gentjan Mullai, pohon për gazetën “Panorama” se operacioni për kapjen e gjashtë personave të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike po vijon nga Sektori Kundër Narkotikeve në Drejtorinë Rajonale të Gjirokastrës, në bashkëpunim me Policinë Rajonale Kufitare, si dhe me Policinë Kufitare të Janinës e Sektorin Kundër Narkotikëve të Janinës.
Berat, kapet 1 kg drogë
Tre persona u arrestuan nga Policia e Beratit, pasi iu gjetën një sasi prej 1 kg marijuane. Dy prej tyre ishin nga fshati Vërtop, prej nga mori emrin dhe operacioni. Policia tha se vuri në pranga Elton Koxhain, 37 vjeç, Alket Bahollin, 34 vjeç dhe Besnik Salin,29 vjeç.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











