Droga, konfiskohen dy njësi tregtare në Fier

Nov 4, 2011 | 10:49

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon në gjykatë bllokimin e pasurive të një shtetasi shqiptar të akuzuar se ka trafikuar heroinë nga Shqipëria në drejtim të Italisë në vitin 2001. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se në vitin 2009, shtetasi Vullnet Hoxha është akuzuar dhe dënuar për trafik droge në Itali, ndërsa më pas dosja penale u transferua në Shqipëri, ku shtetasi në fjalë iu nënshtrua hetimit pasuror. Sipas vendimit të Gjykatës italiane, Vullnet Hoxha është akuzuar dhe dënuar se në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, nga Belgjika dhe Shqipëria, ka importuar ilegalisht në shtetin italian sasi të konsiderueshme heroine. Akuza ka pohuar se në datën 11 gusht 2001, në lagjen “Giambellino” të Milanos, është sekuestruar sasia prej 7.750 kg heroinë. Kjo ngarkesë, sipas hetimeve, është trafikuar nga i dyshuari Vullnet Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij. Po kështu, në datën 13 tetor 2001, në vendin e quajtur Ivrea, në autoveturën me targa FE 524726, është sekuestruar sasia prej 9.50 kg heroinë. Sipas akuzës, edhe kjo ngarkesë me drogë, është trafikuar nga i dyshuari Vullnet Hoxha dhe rrjeti në të cilin ai bënte pjesë. Ngarkesa tjetër me drogë është bllokuar në të njëjtën periudhë, në shtetin italian, në autoveturën tip “Mercedes” me ngjyrë të zezë me targa belge DQG 644, ku janë kapur 5 kg heroinë. Aktiviteti ka vazhduar më tej më 9 nëntor 2001, kur në rrugën “Vigevano” në Milano nga policia është sekuestruar sasia prej 8.250 kg heroinë. Për këto episode mësohet se në datën 13 qershor 2005, Gjykata e Milanos ka vendosur 24 vjet burgim për veprat penale të “organizatës kriminale” dhe “trafikimit të narkotikeve”. Dënimi në Itali ishte dhënë në mungesë, ndërkohë që shtetasi i akuzuar është arrestuar në Shqipëri më 18 shtator 2008. Pas përfundimit të procesit penal, prokuroria kreu hetimet e saj dhe arriti në përfundimin se shtetasi Vullnet Hoxha nuk kishte prona në emrin e tij. Hetimi përfshiu edhe personat e lidhur me të dënuarin, ku u gjetën disa pasuri. Bëhet fjalë për njësi tregtare 28.1 metra katrorë në lagjen “Apolonia”, Fier, regjistruar në vitin 2002, si dhe njësi tregtare me sipërfaqe 110.5 m2 në po të njëjtën lagje në Fier. Sipas hetimeve, këto pasuri janë blerë nga shtetasi D. Hoxha në datën 4 mars 2002, për shumën totale prej 2 900 000 (dy milionë e nëntëqind mijë) lekë. Prokuroria ka pohuar se personi i tretë, D. Hoxha, i afërm i të dënuarit, ka pasur në pronësi të tij dhe disa pasuri të tjera, që i ka përfituar në aplikim të ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”. Organi i akuzës ka theksuar se për shkak të burimit të tyre të ligjshëm për këto pasuri nuk është vendosur procedura e sekuestrimit apo konfiskimit. Prokuroria mësohet se ka verifikuar pretendimet e pronarit të pasurive se i kishte fituar ato nga paratë e vendosura tek ish-kompania piramidale “Gjallica”, por në gjykatë nuk janë paraqitur mandate apo fatura që paratë të jenë tërhequr vërtet. Po kështu, edhe nga të dhënat e pretenduara për punësim në Shqipëri dhe në Greqi, sipas prokurorisë, zotëruesi i pasurive në fjalë nuk ka arritur të asimilojë aq fitime sa të vendosë aq pasuri sa janë gjetur në emrin e tij. Për këtë shkak, organi i akuzës ka kërkuar konfiskimin e njësisë tregtare me sipërfaqe 110.5 m2 në katin përdhes të një pallati 9-katësh në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit, së bashku me gjitha pajisjet brenda saj. Prokuroria kërkoi konfiskimin e pasurisë tjetër, “njësi tregtare”, me sipërfaqe 28.1 m2, në katin përdhes të një pallati 9-katësh në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit, së bashku me gjitha pajisjet brenda saj. t.s

Ligji antimafia
Prokuroria e Krimeve të Rënda ngarkohet me hetimet pasurore ndaj personave apo organizatave kriminale që kanë kryer veprimtari të paligjshme fitimprurëse. Sipas ligjit të ndryshuar vitin që shkoi, janar 2010, organi i akuzës, me referim nga policia apo autoritetet e tjera, heton dhe kërkon bllokimin e pasurive të personave që janë akuzuar për krime me aktivitet fitimprurës financiar.

Kërkesa për sekuestrim
1. Njësi tregtare me sipërfaqe 110.5 m2 në katin përdhes të një pallati 9-katësh në lagjen “Apolonia”
të qytetit të Fierit, së bashku me të gjitha pajisjet brenda saj.

2. Njësi tregtare me sipërfaqe 28.1 m2, në katin përdhes të një pallati 9-katësh, në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit, së bashku me të gjitha pajisjet brenda saj.

Ngarkesat me drogë

11 gusht 2001, 7.750 kg heroinë, kapur në Milano.

13 tetor 2001, 9.5 kg heroinë, kapur në Milano

Tetor 2011, 5 kg heroinë, sekuestruar nga policia italiane

9 nëntor 2001, 8.250 kg heroinë, sekuestruar në Milano

© Panorama.al

Te lidhura