Dritëro Agolli midis letërsisë dhe politikës

Nov 3, 2011 | 9:48

LUÇIANO BOÇI

Letërsia dhe politika, si entitete të ndryshme, por aspak të kundërta, përgjatë shekujsh kanë përpunuar një marrëdhënie dinamike, e cila vazhdimisht na është zbuluar në një lojë konfiguruese me ngjyra nga më të ndryshmet, në një hapësirë-kohë ku dominimi i njërës apo tjetrës është përcaktuar nga faktorë ekstra dhe intraletrarë.  Brenda kësaj hapësire pa kufij të qartë lëviz ai, shkrimtari, së bashku me uratën dhe mallkimin e vet, thënë më saktë, me veprën si krijim unik, e cila reflekton, transmeton, pasqyron, thotë, nxit, vepron dhe në fund krijon botën e vet si referencë e botës së pakufishme objektive dhe subjektive, si pranim ose si kundërshtim i saj.
Shkrimtarët gjithmonë kanë qenë në kërkim të origjinës së artit të tyre. Në veçanti, poetët e kanë pyetur vazhdimisht veten për burimin e frymëzimit të tyre, për atë që e kanë quajtur muzë poetike. Bëhet fjalë për kërkesën e thjeshtë për të përcaktuar rolin e artistit, funksionin e tij shoqëror: të qenit të tij burim frymëzimi, duke zbuluar lidhjet e padukshme midis unit dhe universit, apo më shumë, të qenit të tij si psalt i luftëtarëve në arenën sociale.
Varësisht nga ndërfutja tek njëra-tjetra, produkti i kësaj marrëdhënieje, përpos kundërshtive të artit për art, ka lëvizur nga një letërsi me karakter social drejt një letërsie të angazhuar, me zigzage të forta, me shkrimtarë e vepra të mëdhenj. Progresivisht, aspiratat e përbashkëta për ndikim publik, për rol frymëzues për triumfin e vlerave, ngjizi në momente fragmentare një martesë të lumtur midis tyre, që në jo pak raste është shoqëruar me dhurimin ndaj njerëzimit të kryeveprave të letërsisë. E gjitha kjo, si rezultat i ruajtjes së një ekuilibri logjik midis letërsisë ose artit në përgjithësi dhe politikës, si dhe të kërkesës që letërsia ka për politikën si fushë të realizimit të idealizmave të saj dhe kërkesës që ka politika për letërsinë si mjet i shprehjes më ndikuese te publiku, të ideve të saj.
Shkarja e kësaj marrëdhënieje të angazhuar në një stad më të avancuar, për t’u shprehur ekstremisht në letërsinë e partishme, e sanksionuar kjo ideologjikisht dhe teorikisht me krijimin e metodës së realizmit socialist, vulosi dënimin e letërsisë. Kjo e fundit u imponua dhe u provua më shumë si dhunë e një sistemi metodik mbi vlerat universale, si një mënyrë e rrethimit të letërsisë nga politika, për ta futur atë në korniza të kontrollueshme dhe për ta konceptuar atë si formë të shprehjes së forcës së klasës prioritare, sesa si shprehje e natyrshme e një stadi të ri bashkëveprues, midis aktiviteteve që shihnin te njëra-tjetra dorëzaninë reciproke.
Kjo marrëdhënie artificiale rilindi ndër vite armiqësinë e hershme midis tyre dhe rindezi luftën e heshtur dhe të hapur jo vetëm midis vetë shkrimtarëve dhe kritikëve, por dhe midis shkrimtarit dhe politikës, apo midis tij dhe vetë letërsisë. E ngjizur fillimisht si bashkim i utopisë politike me idealizmin tipik për të bukurën dhe të mirën të artistit, ajo u bë kurthi më i lumtur i një pjese të madhe talentesh në mbarë botën, të quajtur socialiste dhe josocialiste, dhe njëkohësisht u shndërrua në burgun më gjigant mendor, ku u futën me dëshirë e pa dëshirë shumë figura të njohura letrare të kohës. Disa prej tyre provuan jo vetëm privimin e lirisë së të shkruarit dhe të menduarit si pasojë e censurës dhe autocensurës, por dhe privimin e jetës, si pasojë e luftës së shpallur ndaj atyre që shkruanin, mendonin, shijonin letërsinë ndryshe, meqenëse ironikisht, lufta, nënkuptuar vrasja e poetit, ishte vazhdim i politikës me mjete të tjera, pra i asaj politike ideologjike që kishte rrëmbyer dhe marrë nën sqetull, pa dëshirën e kësaj të fundit, pikërisht letërsinë.
Shformimi letrar, si pasojë, u bë i pashmangshëm dhe u reflektua në një prodhimtari veprash pa destinacion artistik, me klishe e shabllone të përsëritura, me varfëri procedesh dhe figuracion mjeran, ose ekstremisht artificial, me emfazë qesharake e me situata e personazhe që më shumë se tipike në rrethana tipike ishin artificialë në rrethana artificiale. Kësisoj, letërsia u shndërrua në skllave të politikës, duke humbur sensin e vet të të krijuarit dhe duke marrë formën e një propagande të pastër të mbushur me figuracion letrar.
Përkundrejt kësaj, si shprehje e artit të vërtetë dhe letërsisë së vërtetë, shkrimtarët kundër rrymës krijuan një tjetër letërsi, atë të ndryshmen ose thënë me terma të tjerë letërsinë disidente, e cila format e manifestimit dhe realizimit i lëvizi nga veprat me gjuhë ezopike drejt kamuflimeve tematike, për të përfunduar në krijimin e atyre veprave që thyen hapur dhe tejkaluan çdo imponim politik dhe metodik, autorët e të cilëve pësuan vuajtje të paimagjinueshme.
Këto vepra, në përgjithësi, vendosën në qendër të tyre përditshmërinë e jetës, intimen, gjithçka që rrjedhshëm buronte nga shpirti i ndjeshëm dhe i trazuar i poetit, meditimet për jetën e vdekjen, lumturinë a hidhërimin e çastit të fituar apo të humbur, njerëzoren me trishtimet e saj, tundimet e ngazëllimet e pakufishme, si dhe dilemat e mëdha për kufijtë dhe pikëpyetjet e ekzistencës. Brenda saj, kultet dhe idhujt e imponuar zëvendësohen me kultin e së dashurës, me adhurimin për natyrën dhe objektet e thjeshta që reflektojnë jetën dhe fluksin e emocioneve spontane, me kultin e së bukurës dhe kultin e vetë vlerës së poezisë.
Edhe kjo disidencë, që në Shqipëri pati specifikën e vet, të lidhur ngushtë me frekuencën e madhe të egërsisë së regjimit, shprehu një raport politiko-letrar. Në një pjesë të madhe ajo ishte sa politike, aq dhe letrare, dhe në shumë raste ajo mbeti vetëm letrare, duke i hequr kështu të drejtën vetvetes të marrë atributin si plotësisht disidente, gjë që ngjall edhe sot debate të forta dhe të kuptueshme, gjithnjë sipas një përcaktimi që disidenca nuk është diçka e përfunduar dhe gjithsecili mund ta shfaqë atë sipas mënyrës së vet.
Në gjendjen aktuale të gjërave, marrëdhëniet midis këtyre entiteteve, pra politikës dhe letërsisë, janë çtendosur dhe secila i referohet tjetrës vetëm formalisht, pa përjashtuar ekzistencën në letërsinë tonë të një brezi shkrimtarësh që ende përjetojnë në krijimtarinë e tyre një lloj realizmi socmodern, si rezultat i të cilit politika flirton dukshëm me letërsinë brenda veprave letrare.
Në këtë kontekst, rasti i Dritëro Agollit është shprehje e koncentruar e marrëdhënieve komplekse që vendosen midis letërsisë dhe politikës në fushështrirjen dhe kurbën e ecjes së letërsisë shqipe. Dritëro Agolli mbetet rasti më i spikatur i shkrimtarit të angazhuar, i shkrimtarit të partishëm, i një shkrimtari i cili i shërbeu me devotshmëri politike politikës së momentit dhe që i shërbeu po me kaq devotshmëri artistike letërsisë dhe artit të të shkruarit. Dritëhijet e kësaj figure domethënëse dhe dominante në jetën letrare dhe politike të viteve të diktaturës dhe viteve të demokracisë, sjellin midis nesh shumë pikëpyetje që lidhen ngushtë me angazhimet konkrete politike të tij dhe me realizimin e një vepre, brenda së cilës lëvizin ndjeshëm motive, personazhe, mënyra të kompozuari, herë në pamjen e respektimit konsekuent të rregullave të rrepta krijuese të imponuara metodologjikë, herë në pamjen e rebelit të fjetur, i cili kërkon të dalë me sforco nga konformizmi galant, për të gjetur dhe shprehur pa sforco unin e tij poetik. Si legjionar i realizmit socialist, por njëkohësisht si talent i lindur poetik, Agolli iu nënshtrua një dyzimi permanent, brenda të cilit, gjithsesi, homo politicus mbeti më dominant dhe më përcaktues se homo literarum. Madje, mund të themi se ishte i pari ai që e udhëhoqi përgjatë gjithë krijimtarisë dhe jetës së tij, me gjithë rebelimin periodik të homo literarum, si shprehje e revoltës së lindur nën lirinë poetike ndaj ndrydhjes së imponuar ideologjike në koshiencë e subkoshiencë.
Ai erdhi në letërsinë shqiptare në vitet ’60, në një ambient që tashmë kishte përcaktuar brenda tij rregulla dhe norma të rrepta, të cilat e kishin shtyrë letërsinë, veçanërisht poezinë, në një humbëtirë politike brenda një rrethi vicioz, ku poeti ishte militanti i partisë dhe poezia e tij mjet i luftës dhe shndërrimit revolucionar.
Duke e vështruar nën këtë perspektivë, konkludohet që letërsia pararendëse e krijimtarisë së Agollit, ajo e viteve ’50, shfaqet vërtet si një thyerje e traditës letrare shqipe, e cila përkon jo me përvijimin e saj si e angazhuar, por me ndryshimin e kursit, e drejtimit të vetë angazhimit.
Që nga fazat e hershmërisë së saj, letërsia ka qenë gjithnjë e angazhuar dhe nuk u bë e tillë në as në shekullin XIX me Balzakun, as në shekullin XX me Sartrin. Angazhimi i saj ka qenë në të tëra sferat e jetës së bashkësisë, nga ai etik dhe politik, deri tek ai sociologjik dhe fetarik, aq sa njeriu shfaqet ky që është sot falë pikërisht angazhimit të letërsisë. Për këtë arsye, fjalët e Harold Bloom-it tingëllojnë vërtet domethënëse kur shkruan: “Që të gjithë, pa përjashtim, vijojmë të ndjekim shkollën e Homerit”, apo kur shprehet se “çdonjëri prej nesh, mashkull apo femër, është një bir apo një bijë e Homerit”. Po ashtu, letërsia ka qenë e angazhuar, madje fuqishëm, edhe në sferën e politikës, ku mjaft të sjellim në kujtesë Parmenidin, Platonin, Ovidin, Danten, Goethen etj.
Kjo panoramë brendashkruhet edhe në letërsisë shqipe deri para viteve ’50; poetët dhe shkrimtarët, nga Buzuku deri te brezi i viteve ’30-’40, ishin edhe njerëzit më të angazhuar në sferat e jetës së shoqërisë shqiptare, përfshirë edhe sferën e politikës, e cila, për ta, ndryshe nga sa dëgjojmë sot, mbartte ende kuptimin e vet të pastër, shprehimisht atë të administrimit të jetës publike.
Në letërsinë e viteve ’50, ky angazhim normal pëson një thyerje; nga angazhim politik, si pjesë e angazhimit shoqëror, shndërrohet në angazhim ideologjik, duke rivalizuar kësisoj ndjeshëm me dogmatizmin fetar. Vështruar nga ky drejtim, letërsia e kësaj periudhe nuk shfaqet shprehëse e realitetit të botës, por e realitetit të shformuar ideor, ku izomorfizmi i “realistëve” solli një ndër pasoja më të pakëndshme, atë të përthithjes së botës reale nga bota e fjalëve. Kjo thyerje, ky ndryshim i drejtimit të angazhimit solli edhe standardizimin, uniformizimin shprehësor, formatizimin semantik nën dritën e ligjësive kodifikuese të stisura sipas logjikës mbi të cilën ngrihet çdo formë diktati.
E gjitha kjo, nga synimi për të shtrirë efektin e kontrollit mbi tërë pamjet dhe hapësirat e reales, përfshirë këtu jo vetëm format e komunikimit, por deri edhe vetë mekanizmat dhe operatorët semantikë (kodet gjuhësorë dhe mekanizmat kumptimpërcjellës) dhe semiotikë (sistemet simboliko-metonimikë dhe ligjësitë shënjuese). Si e tillë, produkti nuk ishte më thjesht dhe mirë një letërsi politike, por një politikë e letrarizuar, pasi poezia mund të jetë politike deri në atë masë sa të mos i izolohet frymëmarrja letrare prej saj (politikës). Në rast të kthimit të saj në një skllave të politikës, atëherë ajo nuk mund të jetë më një letërsi, por një propagandë e mbushur me figuracion.
Daljen e parë nga kjo e fundit, sigurisht do t’i takojë Agollit dhe bashkëkohësve të tij të viteve ‘60 si Kadare, ta realizojnë, megjithëse letërsia politike dhe politika e letrarizuar do të mbeten shpesh portat nga do të hyjë dhe do të dalë, pa reshtur, krijimtaria e Agollit, brenda ecejakesh që do të kulmojnë, herë pas here, me realizimin e krijimeve me vlera të plota e të vërteta letrare, qofshin këto poezi apo prozë. Këto krijime, në tërësinë e tyre, sollën një erë të re dhe një frymëmarrje lirie të dëshiruar brenda letërsisë së kohës dhe u përpoqën ta ankorojnë letërsinë në vendin e vlerave të vërteta poetike, duke e larguar nga standardizimi, vulgarizimi dhe të qenit të saj mjet.
Kjo është dhe arsyeja që brenda vëllimeve poetike të Agollit i gjejmë pothuajse të gjitha: emfazën, entuziazmin, deklarativizmin, figuracionin ekstrem, funksionalizmin e poezisë, sikurse gjejmë butësinë e vargut, lirshmërinë e emocionit, magjinë e fjalës së thjeshtë, frymëzimin e sinqertë, fuqinë e kuptimit. Aty ndeshim kanonet e patrazuara të realizmit socialist: partishmërinë, karakterin popullor e kombëtar, heroin pozitiv, frymën optimiste, sikurse gjejmë thyerjet jo të rastësishme: praninë e unit lirik, mistikën e dukshme, metafizikën e pashpjegueshme, spontanen dhe vargjet intuitive, objektet aestetike që marrin vlerë poetike, kompozicionin mozaikal dhe heronjtë atipikë.
I gjithë ky kolorit, i futur me një natyrshmëri agolliane, i jep krijimtarisë së tij një lloj origjinaliteti të papërsëritshëm brenda historisë së letërsisë shqiptare dhe dëshmon një lloj gjendjeje sinkretizmi të veprës së tij dhe letërsisë shqipe të asaj kohe, brenda së cilës ishin të shkrira dhe të shprehura, sipas mënyrës së vet, forma shfaqjeje të krijimeve letrare që varionin dhe shprehnin sa letërsinë e vërtetë dhe natyrshëm të zhvilluar, aq dhe letërsinë e stisur dhe të sforcuar, e cila pamendësisht nuk mund të kapërcente rregullat e vendosura.
Pak a shumë Agolli e prezantoi që në fillim veten e tij në rrugëtim letrar, natyrshëm, si një Bërns i zbritur në një kohë dhe vend, ku vlera e gjithçkaje matej me vlerën e ideologjisë dhe shërbimit ndaj saj. Kjo mospërputhje e parë i la vendin dilemës së përhershme, të shprehur në një personalitet letrar të dyzuar, të cilën ai u përpoq ta mundë me dy mënyra: njëra origjinale – duke u thënë pas ekzaltimeve jetësore që i krijonte lidhja e ngushtë me vendlindjen dhe traditat e zonës, dhe tjetra e stisur, por e kërkuar me ngulm e ndërgjegje për t’i shpëtuar tundimit dhe thirrjes së brendshme të poetit për të thyer të gjitha rregullat – ngjitja nëpërmjet letërsisë në hierarkinë politike partiake.
Ky do të jetë dhe thelbi i konfliktit të përjetshëm të brendshëm të tij, të shprehur dhe në shumë krijime, konflikt, brenda të cilit poeti nuk arriti ta tejkalojë politikanin as pas viteve ’90, megjithëse inercia dhe besnikëria ndaj idealit morën vlera thjesht letrare.
Kriticizmi ynë, në fakt, do të ishte i pavlerë dhe i papërfunduar n.q.s. nuk do të vëzhgonim me kujdes tërësinë e marrëdhënies së ngushtë, në rastin e Agollit, të politikës me letërsinë. Politika, si efekt i jashtëm mbi letërsinë, jo gjithmonë ka sjellë pasoja negative për të dhe janë jo të pakta rastet kur bashkëveprimi ka ndriçuar me sjelljen në jetë të veprave me vlera të gjithëkohshme. Kjo ka ndodhur dhe me Agollin.
Pa utopinë socialiste në të cilën ai vazhdon të besojë ende, nuk do të ndeshnim brenda krijimtarisë së tij as sinqeritetin, as thjeshtësinë, as ekzaltimin rinor. Idealizmi, që në pjesën më të madhe ia fali politika, do ishte i munguar pa dogmën që ai u përpoq ta mbrojë me aq zjarr. Malli për tokën, vendlindjen, miqësinë e shoqërinë, nuk do të ishte i plotë pa mendimin se ato ishin vlera që morën kuptim vetëm në kohën e re të një rendi të ri. Arratisja në vlerat e natyrës do të ishte e pagjetur, pa adhurimin që ngjallte tek ai besimi se po i shërbente njerëzimit si misionar i ideve universale.
Fataliteti i krijimtarisë së Agollit ishte se ajo mbeti peng e besimeve afatgjata të autorit të saj dhe nuk mori natyrshëm pozicionin e oponentit, pasi letërsia, brenda natyrës së saj, m.gj.s. e përqafon dhe pranon përkohësisht politikën, sa ajo përputhet me ekzigjencat e saj, është tradhtarja e parë dhe më e madhe e saj, e lidhur ngushtë në mënyrë paradoksale pikërisht me vetë angazhimin. Është ky angazhim, i cili e zhvendos shkrimtarin në kundërshtarin më të ri të ideve të vjetra politike, të cilat, ndryshe nga aspirimet letrare për të mirën e të bukurën, veniten dhe kërkojnë rinovim të vazhdueshëm.
Këtë kapërcim Agolli nuk e bëri dhe njëkohësisht ne nuk mund t’ia kërkojmë. Nuk mund t’ia kërkojmë pasi implikimi estetik i shprehur si ideali i artistit u bë paralelisht me implikimin politik të tij dhe brenda kësaj dichotomie, Agolli u përpoq ta tejkalonte vazhdimisht vetë Agollin. Arma e talentit të përdorur intuitivisht nga artisti triumfoi vetëm përkohësisht, pasi pothuaj në tërë krijimtarinë e tij Agolli nuk heq dorë nga mesazhi, të cilit fisnikërisht ende i beson, se: pastërtia e idealit politik meriton sakrificën dhe letrare.
* Deputet i PD
Profesor i asociuar në Letërsi

© Panorama.al

Te lidhura