Dritëro Agolli, jeta e shkrimtarit në 99 fotografi

Dec 1, 2011 | 15:34

E gjithë hapësira është ndarë me dhomëza, ku vajza elegante të ftojnë të hedhësh një sy për çka ofrojnë stendat e tyre.

E çfarë nuk gjen! Pllaka shtrimi, parket, hidrosanitare, elektroshtëpiake, pajisje e pjesë këmbimi makinerish industriale, mobilieri, produkte ushqimore, xhupa lëkure… Dhe në gjithë këtë tollovi të kuptueshme panairi, në katet e sipërme mbetet ndonjë hapësirë edhe për kulturën. Krahas nja dy shtëpive botuese, që e kanë parë të udhës që në panairin me karakter më së shumti industrial, “Klik Ekspo Klik”, të tregtojnë ca libra, një hapësirë më vete i është kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli. Brenda stendës ku janë stampuar dorëshkrimet e tij, disa portrete që i janë bërë nga kolegët piktorë, ku spikat hunda me kurriz e harta e dendur e vijave të fytyrës, apo fotografi e kopertina librash të përkthyer në gjuhë të huaja, janë vendosur edhe tri ekrane, ku njëkohësisht shfaqet jeta në fotografi e Dritëro Agollit. Janë 99 syresh, që zënë fill qysh në vitet e rinisë, atëherë kur si gazetar merrte rrugët e Shqipërisë, ndonjëherë hipur në kalë, për të shkruar kronikat nga vendet e largëta. Ka shumë fotografi familjare, mes tyre janë ato me bashkëshorten, Sadijen, e cila gjithë jetën ka qenë krahu i tij i djathtë. Një foto nga dita e dasmës, ajo me të bardha, duket e gëzuar, ndërsa ai me kostumin dhëndëror. Pastaj me fëmijët, me nipërit… Nuk mungojnë portretet e tij deri në ditët e sotshme, herë-herë të zbardhura nga tymi i cigares, pse jo edhe para një gote, momente nga takime me gazetarë apo kolegë shkrimtarë. Një jetë e tërë kushtuar shkrimtarisë.

REKUIZITA E KINOSTUDIOS

Në katin e nëndheshëm të Pallatit të Kongreseve, një kënd paksa i errët ta largon vëmendjen nga metrazhet apo bizhutë arabe. Është stenda e Alba Film Studios, që ditëve të panairit bëri publik edhe ngritjen e një muzeu kushtuar filmit, i cili do të realizohet në ambientet e ish-Kinostudios. Krahas projektit për këtë muze, prezantuar nga drejtori Fatmir Musaj, në ambientet e stendës janë ekspozuar edhe disa objekte që ruhen pranë këtij institucioni, si për të shijuar pak atë çka do ofrojë ky muze. Janë kamera të vjetra me këmbë druri e bobina të mëdha filmash, karrige kinemash bojë kafe, projektorë që kanë varur kokat, që dikur kanë ndriçuar sheshxhirimet. Prej bezes së zezë që rrethon stendën, shohin ngulshëm Isa Boletini e të tjera personazhe të filmit “Nëntori i Dytë”, më tej Xha Suloja e Xha Beqoja, që duket sikur kanë dalë me vrap nga sheshi i “Kapedanit” ndjekur me gërshërë në dorë nga kryetarka. Tana e ndjekur nga Marigoja e Gjinoja prijnë drejt arës. Ndërsa për kundruall qëndrojnë kapardisur personazhet e filmit “Historiani e Kameleoni” etj. Të gjithë së bashku duket sikur shikojnë një makinë të zezë “Millecento”, në vendet e para të së cilës qëndrojnë dy manekinë. Është kjo një nga makinat që disponon Alba Filmi e që është shfaqur në disa nga filmat shqiptarë. Fatmirësisht ajo i ka rezistuar kohës. I përket rekuizitës së ish-Kinostudios, e cila është shfrytëzuar për vite me radhë nga kineastët shqiptarë dhe që do të ketë një kënd të vetin në muzeun e filmit, i cili pritet të jetë gati me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura