Urimet e aq shumë njerëzve e mallëngjejnë edhe më. Është prekëse ta dish se nuk je vetëm, se njerëzit të duan dhe nuk tregohen dashamirës veçse për kortezi. Shumë tufa lulesh, fotografi të vëna në kornizë, apo ndonjë dhuratë tjetër simbolike… Për Drita Pelinkun, ajo atmosferë e krijuar dje në 85-vjetorin e saj ishte më emocionuese se çdo herë tjetër. Në festën e organizuar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi dhe Teatri Kombëtar erdhën shumë miq e kolegë, jo vetëm aktorë, por edhe admirues të artit të saj. Kur je 85 vjeçe duhet të jetë e natyrshme të shohësh pas, te gëzimet, por edhe te hidhërimet. E Drita Pelinku i ka jetuar të gjitha. Edhe momentet e humbjeve të mëdha i ka kaluar në skenë. Një vit më parë, artistja e madhe humbi vajzën e saj Jaroshkën dhe vetëm impenjimi në teatër, në rolin e Rebekës te “Shtrigat e Salemit” i dha forcë të përballonte dhimbjen.
Shpesh, bashkë me moshën ia beh edhe vetmia, megjithatë ju jeni e rrethuar nga kaq shumë miq sot…
Edhe pse shumë herë më është festuar ditëlindja, kësaj here ndiej një emocion që rrallë e kam ndier gjatë karrierës sime artistike. Kur kthen kokën prapa të del përpara syve e gjithë jeta. Unë kam pasur vetëm një qëllim në jetën time artistike: të lë një emër në biografinë e fëmijëve të mi dhe të lë një gur sado të vogël në themelet artit skenik shqiptar. Sot, me këto nderime që më bëhen më lind shpresa të besoj se ia paskam arritur qëllimit.
Por jo pa vështirësi, apo jo?
Jeta ime është ndarë mes skenës dhe pedagogjisë. Kam qenë për 35 vjet pedagoge në Akademinë e Arteve. Dhe të dyja këto jetë kanë pasur vetëm një qëllim. Sigurisht ka qenë jetë e vështirë. Kur ne kemi nisur, jeta jonë fizikisht ka qenë më tepër jashtë familjes, sesa pranë saj. Paraditeve kishim prova, në mbrëmje shfaqje dhe më pas, e kishim shumë të zhvilluar punën individuale. Çdo natë punonim me orë të gjata në studio. Për të mos folur për turnetë. Në mbyllje të sezonit zhvilloheshin 2 muaj turne dhe shkonim cep më cep të Shqipërisë për të dhënë shfaqje, në uzina, fabrika, fshatra. Ka pasur raste që kemi mbajtur edhe çadrat në kurriz dhe shkonim fshat më fshat, hapnim çadrat, jepnim shfaqje e vazhdonim më tej.
Ky impenjim pa dyshim ju ka mbajtur larg familjes, e keni peng?
Ka qenë vështirësi e madhe për jetën familjare, për fëmijët e mi, për rritjen e tyre, por jam munduar të mos u lë gjë mangët, pasi i kam kompensuar në forma të tjera. I çoja te nëna ime në Vlorë, apo merrja një grua që kujdesej për ta, megjithatë atyre u mungonte nëna.
Pavarësisht moshës, a ëndërroni?
T’ju them një gjë. Edhe sot, që po të numërosh vitet e mia duhet të fillosh në mëngjes e të mbarosh në mbrëmje, unë vazhdoj të kem ëndrra. Sigurisht që nuk janë më si ato ëndrrat e rinisë, apo të moshës së mesme. Dikur ëndrrat e mia i bëja të njohura, kurse sot ato rrinë brenda meje dhe sigurisht nuk kam asnjë dëshirë t’i bëj publike.
Keni thënë se do tërhiqeni nga skena, por prapë jeni kthyer, mund të presim një dalje tjetër?
Kam frikë të them në duhet, apo nuk duhet të dal më në skenë. Kam premtuar dy herë që do tërhiqem. Kur luajta monodramën “Rouz”, dola para publikut dhe i thashë se kjo do të ishte dalja ime e fundit. Publiku u ngrit i gjithi në këmbë dhe duartrokiste, kurse unë qaja. Nuk kaloi shumë kohë, m’u propozua roli i Rebekës. Nga njëra anë doja ta bëja rolin, nga ana tjetër, ishte premtimi që kisha dhënë. Mediat që më kanë ndjekur kurdoherë, kishin folur për këtë. Por, ishte regjisori Mihallaq Luarasi, që ka luajtur një rol shumë të madh në karrierën time, që më tha: O Drita, kjo ndodh në të gjithë botën. Edhe aktorë të mëdhenj janë betuar e prapë janë kthyer të luajnë. Nuk është turp, merre dhe bëje rolin! E mora dhe kur u ktheva në teatër, e kuptova se sa më mungonte. Nuk mund të rrija dot larg skenës së teatrit.
A ka qenë një ngushëllim në ditët tuaja më të hidhura?
Kur më ndodhi një fatkeqësi e madhe, një dramë e madhe familjare, unë nuk kisha më dëshirë jo më për skenën, por për asgjë në botë. Por njeriu duhet ta përballojë të keqen. Edhe unë duhej ta përballoja. Pas 6 muajsh më erdhën në shtëpi regjisori, aktorët. Të gjithë më thoshin: Dil, mos rri e mbyllur, eja në shfaqje! Unë nuk pranoja në vijimësi, por më shtynë njerëzit e familjes, vajza tjetër. Dola, vajta, dhe mund t’ju them që skena është magji. Vetëm tek ajo i gjeta forcat që të përballoja të keqen, dhimbjen. Sigurisht, ishte një trajtim i veçantë nga ana e regjisorit dhe kolegëve, të cilët vinin e më merrnin në shtëpi, më sillnin në teatër e më kthenin prapë. Por skena është një magji. Asnjë mjekim nuk do të më shëronte nga ajo sëmundje.
Çfarë ju mungon sot më shumë?
Më mungojnë shumë gjëra, nga familja dhe nga skena. Nga familja më mungojnë të dashurit e mi, im shoq, vajza ime… Shumë njerëz kam humbur. Jeta e gjatë i ka këto gjëra. Nga skena më mungojnë kolegët e mi. Në albumin që më ka bërë Arkivi i Filmit ka shumë thënie të tyre dhe kur ai u botua më vinte keq që ata nuk ishin më. Ndaj dhe thërrita dy studente të miat dhe u kërkova që përpara se të fillonte ceremonia, të dilnin në skenë e të lexonin pjesët e atyre kolegëve, të cilët nuk ishin më. I lexuan dhe pati ovacione të mëdha në sallë, sepse ishte malli për ta. Kur i dëgjoja fjalët e tyre, më dukej sikur jetoja bashkë me ta.
Gjithnjë keni mbajtur ditar, vazhdoni të shkruani?
Po, gjithnjë kam shkruar. Jam e sigurt që edhe këtë ditë të sotshme, kur të kthehem do ta hedh në letër. Kam fletore, copa fletësh, çka më gjendet, ku shkruaj… Kam edhe një sirtar ku i hedh…
Mendoni t’i botoni?
Nuk e di, një pjesë tashmë janë botuar. Por kam botuar edhe shumë monografi të artistëve. Kam shumë botime, ndërkohë që shumë të tjerë i kam nisur dhe i kam lënë përgjysmë në ata sirtarë. Në do t’i botoj apo jo, nuk e di.
Bumçi: Pelinku, zonja e skenës, s’mund të tërhiqet
Jo vetëm për shkak të moshës, por edhe të përmasave të saj, ministri i TKRS-së, Aldo Bumçi, ndihej paksa në siklet, kur ajo e falënderonte për festën që i kishin organizuar. Krahas luleve dhe një fotografie në kornizë të një prej roleve të saj që i dhuroi, Bumçi i uroi jetë të gjatë dhe shprehu dëshirën e të gjithëve që ta shihnin sërish në skenë: “Drita Pelinku është zonja e madhe e skenës shqiptare. Me një karrierë që është e rrallë edhe në historinë e teatrit botëror. Janë 65 vite karrierë, aq sa e gjatë është edhe jeta e Teatrit Kombëtar. Artistët e rinj e ëndërrojnë një jetë të tillë artistike. Janë 130 role, ku më shumë se gjysma janë si protagoniste. Kur flasim për Teatrin Kombëtar, është e pashmangshme të mos kujtosh plejadën e artistëve që e themeluan atë. Drita Pelinku është femra e parë që u fut në shkollën e dramës dhe ndër themeluesit e këtij institucioni të rëndësishëm. Ka pasur gjithnjë një sharm aristokratik nga një kohë e largët dhe pavarësisht deformimeve të sistemit komunist, e ruajti atë dhe përcolli në skenë emocione të jashtëzakonshme, të cilat ne do të donim të ripërsëriteshin. Skena për znj. Pelinku ka qenë gjithçka, pasioni për jetën, vendi i ngushëllimit për fatkeqësitë, shtëpia… dhe ne nuk mund ta mendojmë skenën pa ju. Shumë herë keni deklaruar tërheqjen, por mendoj se nuk mund të ketë tërheqje për ju. Kjo karrierë e gjatë duhet të vazhdojë, ne të gjithë e presim. Vite të tjera të arta!”
ALMA MILE











