Drews: Shumë serbë, jo të kënaqur me barrikadat

Dec 29, 2011 | 9:20

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka deklaruar se situata në Kosovë është gjithkund tjetër e mirë, përveç në veri, ndërsa ka qartësuar se veprimet e KFOR-it nuk janë ndërmarrë për shkak të presionit të Prishtinës.

Në një intervistë për Novosti, ai ka thënë se shpreson që rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të implementohen sa më shpejt, në mënyrë që njerëzve në terren t’u mundësohet jetë më e mirë.

“Sinqerisht, vendimet për bllokimin e rrugëve për mua janë të papranueshme. E di se shumë serbë nga veriu nuk janë të kënaqur për shkak të këtyre barrikadave dhe ajo që duan është që të vazhdojnë të bëjnë jetë normale. Prandaj, do të pyetesha për legjitimitetin e atyre barrikadave. Ndalimi i EULEX-it, misionit evropian për sundimin e ligjit, për KFOR-in është i papranueshëm. Lëvizja e lirë është qëllimi i misionit tonë dhe ne nuk do të pranojmë kurrfarë rezultati tjetër”, ka theksuar Drews, raporton Telegrafi.

I pyetur nëse ka qenë nën presionin e qarqeve politike të Prishtinës që të largojë barrikadat në veri, gjenerali gjerman është përgjigjur shkurt: “Jo”.

© Panorama.al

Te lidhura