Drejtori i minierës dështon marrëveshjen ACR-Sindikatë

Sep 22, 2011 | 11:39
Deputetët dje me minatorët grevistë

Ka dështuar dje takimi i radhës mes sindikalistëve dhe përfaqësuesve të ACR-së.Ata ranë dakord që të takohen në Tiranë me pronaren e ACR-së. Depichc është shprehur sipas minatorëve se ajo nuk është dakord me largimin e drejtorit të minierës dhe pagesën e minatorëve për periudhën që ata kanë ndërprerë punën. Dilaver Përkoxha, kreu i këshillit sindikal, tha se marrëveshja që ka ofruar ACR-ja ka pasur 7 pika, ku ndër të tjera kompania merrte përsipër përmirësimin e kushteve në punë, përmirësimin dhe rinovimin e mjeteve të punës, gardërobë të re, pajisje me dushe e ujë të pijshëm etj. Një tjetër pjesë tjetër e aktmarrëveshjes së ditës së djeshme, që pritej të nënshkruhej mes palëve, ishte edhe ajo e rritjes me 20% të pagës bruto, pagesa e 20 ditëve të grevës për minatorët në formën e ditëve të lejes së zakonshme, largimi i firmave abuzive nga territori i ACR-së, si dhe premtimi për dhënien e pagës së 13-të, pesë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Por, në aktmarrëveshjen e paraqitur nga ACR-ja nuk ishte përfshirë largimi i administratës së ACR-së Bulqizë, kërkesë kjo që ka çuar në dështimin e negociatave të mëparshme mes palëve për të disatën herë. Ndërkaq, minatorët kanë vendosur të vijojnë protestat e tyre deri në zgjidhjen e të gjitha kërkesave të bëra publike. “Takimi dështoi se ACR-ja nuk pranon largimin nga puna të administratorit të minierës së Bulqizës. Firma nuk pranoi dhe ne jemi në të njëjtën situatë me vijimin e grevës së urisë, e cila do të zgjasë më shumë se e para. Pasi sot u dhanë disa sinjale jo pozitive nga firma, por ne nuk pranojmë presione. Ne i toleruam në shumë pika, duke hequr dorë prej kërkesave, kryesisht mbi ditët e grevës, por prapë nuk arritëm një marrëveshje”, u shpreh kryesindikalisti Koleci. Dje, greva e urisë së minatorëve ka vijuar ashtu si ditë më parë. Në mbështetje të grevistëve, së bashku me minatorët protestues, janë bashkuar edhe familjarë e fëmijë të minatorëve. Sipas komisionit të grevës, disa nga grevistët kanë shfaqur probleme me shëndetin. Kanë pasur dhimbje koke, këputje, marrje mendsh etj. Pranë grevistëve qëndrojnë minatorët, të cilët kanë adaptuar mjedise për të qëndruar edhe pse bie shi e moti ka ftohur. Ndërprerja e punës në minierën e Bulqizës ka nisur që në fillim të muajit korrik, duke shkuar drejt muajit të tretë të protestave masive. Greva e 10 minatorëve në një lokal pranë ACR-së është e dyta, pas asaj të zhvilluar në muajin gusht, kur dhjetëra minatorë u ngujuan në thellësitë e minierës së Bulqizës për plot 26 ditë.  Taf Koleci, Dilaver Përkoxha dhe Baki Bajraktari, pjesë e minatorëve që kërkojnë prej 4 korrikut të këtij viti zgjidhjen e kërkesave të tyre, kanë këmbëngulur që ato të zgjidhen, ndryshe puna në minierë nuk do të rifillojë.

Tre deputete te majte ne bulqize
Pranë minatorëve ishin dje Sajmir Tahiri, deputet i Partisë Socialiste, Petro Koçi, kryetar i PSV-91 dhe Kurt Kola, kryetar i Partisë Rruga e Lirisë. Fillimisht ata janë takuar me grevistët e urisë, takim i cili u zhvillua pa praninë e mediave. Në fjalën e tyre para minatorëve protestues, përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, pasi kanë falënderuar grevistët për qëndresën, u kanë bërë thirrje minatorëve të qëndrojnë të bashkuar, pasi vetëm ashtu ata do të mund të realizojnë kërkesat e tyre. Deputeti Tahiri akuzoi ish-ministrin e METE-es, Genc Ruli, që sipas tij duhet të vihet përballë drejtësisë si shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje. “Opozita e bashkuar ju garantoj se është me ju, ndaj mos u përkulni deri në plotësimin e kërkesave tuaja të ligjshme”, deklaroi Tahiri dje në Bulqizë.

Ruli: Mllefi i Ramës për rezultatin në njësinë 5
TIRANE – Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë, i cilësoi si mllefe akuzat e kryesocialistit Rama karshi tij. Akuzat karshi Rulit që kreu i PS-së ka bërë ditët e fundit, duke e akuzuar për shkatërrim të pronës publike në Bulqizë, ministri i ka komentuar si reagim për shkak të rezultateve të 8 majit. “Për Ramën është kthyer në makth rezultati në njësinë nr.5, të cilën unë drejtova gjatë fushatës për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë”, deklaroi Ruli. Në një përgjigje publike karshi akuzave të kreut të PS-së, ministri i Bujqësisë u shpreh se Rama po ndjek rrugë tjetër nga ai i hetimit të Prokurorisë. “Prokuroria heton me fakte, jo me editoriale, siç po shkruan ai kohët e fundit. Korrupsioni nuk luftohet me mllefe, as me skandale të sajuara, por me hetime serioze”, pohoi Ruli në një konferencë për shtyp. Kreu i PS-së, Edi Rama, e akuzoi Rulin të hënën e kaluar për shkatërrim të pasurisë kombëtare dhe dëmtim të kushteve të punës e jetesës së minatorëve të Bulqizës. Ndërsa dje, ministri Ruli u shpreh se shumë shpejt do të zbardhet ky “megaskandal i minierës së Bulqizës, siç thotë Rama”, duke shtuar se kreu i socialistëve do të dështojë sërish me një tjetër flluskë, si ajo me Griseldën. “I kujtoj Ramës se kam hyrë në politikë kur kishte ende ideale dhe besoj se kam ende sot. I kujtoj Edi Ramës se nuk kam ardhur në politikë i dështuar në profesionin tim. E siguroj se vazhdoj të mbetem kockë e sertë për intrigat e tij”, deklaroi Ruli në reagimin e tij.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura