Lorik Cana mund të veshë, jo më larg se javën tjetër, fanellën e Lacios. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori sportiv i Gallatasarajit, Cenk Ergun. Ky i fundit ka pohuar se kanë nisur zyrtarisht tratativat me drejtuesit italianë dhe sot ai do të zhvillojë një tjetër takim, për të bërë të mundur gjetjen e një akordi për shitjen e kartonit të futbollistit shqiptar. “Kemi nisur kontaktet dhe, gjykoj se bisedimet janë në rrugën e duhur. Kështu, e ardhmja e Lorik Canës do të vendoset me shumë gjasa javën tjetër. Ju kujtoj se presidenti ynë, është zgjedhur vetëm para disa ditësh dhe i ka pasur të nevojshme disa ditë pushim. Në fillim të javës që vjen, të hënën ose të martën, do të ulemi në tavolinë edhe me lojtarin tonë, ku do t’i sqarojmë të gjitha opsionet dhe natyrisht të rejat, nëse do të ketë për të ardhmen e tij. Besoj se do të arrijmë të gjejmë edhe me të një konsensus në të mirë të klubit, por edhe vetë lojtarit”, ka pohuar Cenk Ergun.











