Një nga emrat e njohur të arkeologjisë italiane, Zhanete Papadopulos, ka vizituar mesditën e djeshme qytetin antik të Antigonesë. Vetëm 7 muaj pas trajnimit dhe certifikimit të një grupi arkeologësh e specialistësh të parqeve arkeologjike shqiptare në Itali me ftesë të UNESKO-s, dr. Papadopulos, drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikiteteve në Ministrinë Italiane të Kulturës, ka kthyer vizitën, për të parë nga afër gjendjen e parqeve arkeologjike shqiptare dhe menaxhimin e tyre në shërbim të vizitorëve vendës dhe të huaj. Pas vizitës në kështjellën e Gjirokastrës, ajo ka vizituar qytetin e Butrintit dhe në mesditë, Parkun Arkeologjik Kombëtar të Antigonesë. Drejtues të parkut e kanë njohur nga afër zonjën Papadopulos me punën që bëhet në këtë sit arkeologjik. Ndërkaq, kreu i Komunës së Antigonesë, Ylli Muho, në shenjë respekti i ka dhuruar simbolin e komunës, që është sfinksi i gjetur gjatë kërkimeve në Antigone nga arkeologu shqiptar, Dhimosten Budina. Zonja Papadopulos, gjatë vizitës në sitin arkeologjik të Antigonesë, ka vlerësuar punën e kryer në të sidomos gërmimet, studimin dhe konservimin e këtij qyteti. Papadopulos është një ndër njohëset më të mira të historisë së Pompeit të djegur dhe mbuluar nga hiri i vullkanit Vezuv, një histori kjo e ngjashme deri diku me atë të Antigonesë, që u shkatërrua nga djegia e konsullit romak, Paul Emili. Studentët e Histori-Gjeografisë në universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, do të ndjekin paraditen e sotme një leksion mbi historinë e Pompeit. Prej më se pesë vitesh, në rajonin jugor po vijon punën një ekspeditë arkeologjike italo-shqiptare, punë kjo e përqendruar në Teatrin e Adrianopolit.











