Drafti i Kodit të ri Penal, OSBE: Nuk na u kërkuar ekspertizë, por jemi të gatshëm për të ofruar rekomandime

Aug 4, 2025 | 7:46

Prezencës së OSBE-së në Shqipëri nuk i është kërkuar ekspertizë për ndryshimet në Kodin Penal.

osbe

Në një reagim të saj, Prezenca e OSBE-së thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Sipas OSBEsë, Kodi Penal është një ligj themelor që meriton kohën e duhur për konsultim.

OSBE-ja sqaron se ndonëse nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e këtij drafti, tashmë është duke e shqyrtuar atë dhe shpreh gatishmërinë për të dhënë rekomandime konkrete.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, – thuhet në reagim e OSBE-së. Ministria e Drejtësisë prezantoi një draft të Kodit Penal më 25 korrik.

Kundër draftit janë shprehur edhe krerë të institucioneve të drejtësisë, si edhe shoqata të gazetarëve. Pas kreut të Gjykatës së Lartë, Sadushit, ishte prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, i cili tha se drafti rrezikon të minojë drejtësinë. Sipas tij, “Kodi i ri ka frymë represive dhe cenon sigurinë juridike”. Çela deklaroi se ashpërsimi i dënimeve me burgim nuk është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë kur kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian. Po ashtu, thekson se më tepër se për një Kod të ri Penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve.

Qëndrimin e Olsian Çelës e mbështeti edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai pohoi se nuk e kanë në dorë draftin e ri, ndërkohë që pasi ta studiojnë, do të kenë një qëndrim mi të. Dumani shprehu rezerva, duke ngritur pyetjen nëse ka vërtet nevojë për një Kod të ri Penal, apo mjaftojnë përmirësimet në Kodin ekzistues. Në listën e kritikëve është edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. “Është represiv. Edhe po ta krahasojmë me Kodin aktual, ka dënime të larta. Ka nene që parashikojnë dënime 1 deri në 20 vite dhe më pas, nëse shtohet edhe një rrethanë, shtohet 1 e 2. Ka dispozita të gjata, të pakuptueshme dhe ka nene tepër diskriminuese”, – tha kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia.

Ndërkohë, lideri i opozitës, Sali Berisha, është shprehur se Kodi i ri Penal dyfishon dhunën ligjore mbi qytetarët. Megjithatë, drafti ka vetëm 10 ditë në proces konsultimi publik dhe pritet rrugë e gjatë deri në miratim.

Në debatin për draftin e Kodit të ri Penal para pak ditësh u përfshi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh. Rama reagoi ndaj qëndrimit të disa shoqatave të gazetarëve, të cilët sipas tij, “bëjnë thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal”. Kryeministri theksoi se, “qeveria është thjesht njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e ka marrë dhe po e studion draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve”. Rama u shpreh se, “drafti i rishikuar do të konsultohet edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit, drafti nuk shkon dot në parlament”./Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura