Dporti nga bota

Dec 28, 2011 | 14:01

Arsenali 1-1, zhgënjen ndaj Uolverhemptonit
Uolverhemptoni ndal Arsenalin. “Topçinjtë” humbasin një tjetër shans për të kapur kreun dhe tani i shikojnë mançesterët kryesues 12 pikë larg. Për titullin as që mund të flitet, por londinezët e këtyre pozitave rrezikojnë seriozisht edhe Champions-in. Në një ndeshje ku ishin superiorë gjatë pothuajse 90 minutave, djemtë e Arsen Vengerit humbasin raste pa fund, ndërsa nuk shfrytëzojnë as superioritetin numerik në 15 minutat e fundit. Në fillim shënon Zhervinjo për Arsenalin (minuta e 9-të), por në minutën e 38-të, një gjuajtje e Hant devijohet me kokë nga Fletçer duke barazuar.

Barça, akord me Nejmarin, do fitojë 7 mln euro
Barcelona duket se ka arritur një akord me klubin e Santosit dhe me Nejmarin, për sa i përket transferimit në Spanjë. Media iberike bën të ditur se gjithçka është zyrtarizuar, por ende nuk kanë preferuar që ta bëjnë publike. Talenti 19-vjeçar ka pranuar të firmosë një kontratë 4-vjeçare, ku do të përfitojë 7 milionë euro në vit dhe do jetë futbollisti i dytë më i paguar te Barcelona, pas Lionel Mesit. Ndërkohë nuk është bërë publike shifra që do paguhet për kartonin, por pritet që ajo nuk do jetë aq e çmendur sa është përfolur.

Inzagi ofrohet te Espanjoli, Lacio në pritje
Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, Milani i ka ofruar sulmuesin Filipo Inzagi klubit të Espanjol. Faktikisht klubi iberik është në kërkim të një sulmuesi për merkaton dimërore dhe, duke parë që Inzagi nuk po gjen hapësirë në formacionin kuqezi, drejtuesit e Milanit kanë menduar t’ia ofrojnë atë klubit bardheblu. Por përveç Espanjol, kjo e përditshme bën të ditur se edhe Lacio ka manifestuar interesimin e saj për Inzagin. Po kjo e përditshme ka zbuluar se gjatë ditëve në vazhdim drejtuesit e Espanjolit kanë fiksuar një takim edhe me lojtarin.

PSG-ja “blen” Bekham, Kaka, Pato e Borrielon
Leonardo në rolin e drejtuesit, Karlos Ançeloti në pankinë, Devid Bekham që kroson nga e djathta, Rikardo Kaka në mesfushë prapa shpatullave të Aleksandre Patos dhe Marko Borrielos. Është kjo ideja e menaxherit të klubit të PSG-së, brazilianit Leonardo, i cili pasi ka mundur të sjellë në skuadër talente si Havier Pastore dhe Zheremi Menez, kërkon t’u shtojë kryesuesve aktualë të kampionatit transalpin ish-yjet e Milanit të tij. Ish-trajneri i kuqezinjve po mendon realisht të sjellë në jetë “djallin” e sezonit 2008-2009, por këtë herë nën emrin e PSG-së.

© Panorama.al

Te lidhura