Dostoevsky në Prishtinë

May 1, 2026 | 8:32

DEMUSH SHASHADEMUSH SHASHA

Historia ka mënyrën e vet të të shkruarit të drejtësisë poetike për ata që u shkaktojnë vuajtje të panevojshme të tjerëve për teatër politik. Dhe në këtë sens ka diçka përbashkuese në mes të historisë së Dostoevskyt në sheshin e Shën Petersburgut dhe momentit ku populli i Kosovës e gjen veten sot.

Kur je në pritje të një lajmi të keq, çfarë është më keq, lajmi i keq apo ankthi i suspancës torturuese për të kuptuar lajmin? Psikologja amerikane Kate Sweeny ka dedikuar jetën e saj për të kuptuar përgjigjen në këtë pyetje. Ndër tjera, Sweeny ka studiuar pacientët, të cilët ishin në pritje të rezultatit të biopsisë për të kuptuar çfarë është më keq – rezultati përfundimtar i biopsisë apo ankthi i pritjes së rezultatit.

Vitet e hulumtimit të saj e kanë sjellë çdo herë në të njëjtin përfundim – ankthi i pritjes është emocionalisht po aq shkatërrues për pacientët sikur vetë lajmi i keq.

Atë çfarë shkenca moderne ka arritur të dëshmojë sot e kanë kuptuar instinktivisht prej kohësh edhe perandorët e vjetër. 22 dhjetori i viti 1849 ishte ditë tipike dimërore ruse. Sheshi “Semyonovsky” i Shën Petersburgut ishte mbuluar nga bora e thellë dhe mëngjesi i asaj dite u bë edhe më i bukur nga fjollat dëbore që binin vazhdimisht dhe krijonin një kartolinë të bukur dimërore. Por kjo kartolinë piktoreske bardhësie e sheshit “Semyonovsky” u shqetësua nga ardhja e ushtarëve të veshur me ngjyra gri, që paralajmëronte ardhjen e një ngjarjeje ogurzezë. Në qetësi dhe me disiplinë tipike ushtarët filluan përgatitjen e sheshit për një ngjarje makabre – ekzekutim publik.

Në shesh u sollën të dënuarit për t’u përgatitur për ekzekutim me pushkatim. Në afërsi të tyre ishin vendosur arkivolet në të cilat trupi i tyre do të pushojë së shpejti. Qetësia morbide u ndërpre nga tupanët ushtarakë që paralajmëronin fillimin e ceremonisë së ekzekutimit. Sheshi tanimë ishte mbushur me qytetarët kuriozë.

Kryesuesi i ceremonisë së ekzekutimit lexoi me zë të ashpër dhe formal vendimin për ekzekutim. Zëri i tij ushtonte nëpër sheshin e ftohtë të Shën Petersburgut. Të dënuarit po ekzekutoheshin për aktivitetet subversive. Më pas në shesh doli prifti, i cili performoi ritin fetar në fund të të cilit të dënuarit u ulën në gjunjë dhe puthën kryqin e ofruar. Të dënuarit u lidhën për shtyllat e ekzekutimit dhe mbi sytë e tyre u vendosën fashat e zeza. Qetësinë morbide edhe njëherë ndërpreu zhurma e tupanëve ushtarakë, e cila sinjalizoi togën që të vendoset në pozicionin e pushkatimit. Oficeri komandues i togës ngriti shpatën duke sinjalizuar ushtarëve që të marrin në shenjë. Ushtarët ngritën pushkët dhe morën në shenjë. Të dënuarit tani ishin në sekondat e fundit në mes jetës dhe vdekjes – në atë ankthin e suspancës torturuese në pritje të shkrepjes së pushkëve të ekzekutimit. Papritmas nga askund kjo suspancë u ndërpre nga zhurma e një oficeri ushtarak që kalëronte me shpejtësi drejt sheshit me një flamur të bardhë që sinjalizonte ndërprerjen e pushkatimit. Ai solli në dorë të oficerit komandues një zarf. Oficeri komandues nxori nga zarfi letrën dhe e lexoi atë me zë të lartë. Cari rus Nikolas i Pari po ua falte jetën të dënuarve. Nga e gjithë kjo që sapo ndodhi njëri nga të dënuarit do të çmendet psiqikisht në vend, ndërsa tjetri që ishte në krahun e tij do të shkruante për këtë përvojë në “Krimi dhe Ndëshkimi”.

Me simulimin diabolik të ekzekutimit cari rus, Nikolas i Pari ka dashur ta terrorizojë Fyodor Dostoevskyn dhe shokët e tij, sepse ai kuptonte instinktivisht atë që psikologja amerikane Kate Sweeny dhe shkenca moderne kanë kuptuar së fundi. Mbajtja në suspancë e njeriut në pritje të lajmit të keq është po aq torturuese emocionalisht sa edhe vetë lajmi i keq.

Isha duke menduar për këtë episod të jetës së Dostoevskyt mbrëmë kur më në fund u kuptua se vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje. Ashtu sikur Dostoevsky qytetarët e Kosovës për një kohë të gjatë u mbajtën padrejtësisht në ankth të një suspance torturuese. Dhe në këtë sens ka diçka përbashkuese në mes historisë së Dostoevskyt në sheshin e Shën Petersburgut dhe momentit ku populli i Kosovës e gjen veten sot.

Historia ka mënyrën e vet të të shkruarit të drejtësisë poetike për ata që u shkaktojnë vuajtje të panevojshme të tjerëve për teatër politik. Cari Nikolas i Pari koreografoi personalisht çdo detaj teatral të ekzekutimit të një njeriu të pafajshëm, por shumë shpejt Dostoevsky do ta ketë hakmarrjen e tij poetike. Nikolasi do të takojë fundin e tij turpërues në Luftën e Krimesë, ndërsa Dostoevskyt do të kanonizohet me lavdi imortale. Kësisoj, sikur cari Nikolas i Pari, partitë politike në Kosovë me muaj të tërë mbajtën në ankth qytetarët e pafajshëm të Kosovës përmes orkestrimit të një teatri absurd institucional për qëllime të ngushta politike. Tani sikur Dostoevsky, qytetarët e Kosovës do ta kenë hakmarrjen e tyre poetike.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura