Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të GJKKO-së për ish kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka në lidhje me dosjen e “Toyota Yaris”, duke e rikthyer çështjen për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese.
Vendimi i Apelit të Posaçëm ishte ankimuar nga SPAK dhe nga vetë Zarka.
Në muajin Nëntor, Apeli i GJKKO prishi vendimin nga Shkalla e Parë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Arsyetimi i Apelit ishte se Zarka duhej të ishte akuzuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal. Sipas gjykatës, Zarka është gjetur fajtor për të pesta episodet e akuzuara, 3 prej të cilave ishin në bashkëpunim me 3 të pandehurit e tjerë Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi, ndaj përbën një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të të grupit të strukturuar kriminal. Rekurs ndaj këtij vendimi bëri Zarka si edhe SPAK.
Sipas SPAK, ish kryeprokurori dhe tre persona të tjerë të shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe Erjona Daupaj, ish-oficere e Policisë Gjyqësore, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, kanë marrë dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme thotë se Zarka me 3 të tjerët kanë ndërhyrë në disa dosje duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar rrethanat, mes të cilave edhe ajo e Suel Çelës.
Ata kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladin, kushëririn e tij Elvis Vladi në lidhje me 3.4 milionë eurot që u bllokuan në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.
Kujtojmë që GJKKO e ndau veçmas dosjen për tre personat e tjerë për shkak se vijojnë të jenë në kërkim.
© Panorama.al












