Dosja e “21 Janarit”, Ilir Meta kërkon të merret në pyetje nga SPAK si person në dijeni

Nov 25, 2025 | 15:55

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka thirrur sot avokatin e tij, Kujtim Cakrani, duke i kërkuar që të paraqesë një kërkesë në SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e 21 Janarit 2011.

Ilir MetaMeta i cili ndodhet në qeli, i ka kërkuar avokatit të tij që t’i drejtohet prokurorit të çështjes, A. Shehu, me qëllim që ai të thirret si person në dijeni për rrethana dhe fakte që lidhen me hetimin.

Njoftimi i plotë i Partisë së Lirisë:

“Presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta, ka thirrur sot mbrojtësin e tij ligjor, Avokatin Kujtim Cakrani, dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit A. Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me ‘21 Janarin’.

Kujtojmë se më 21 Janar të 2011, Ilir Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë e vetmja vrasje pa autor e 21 janarit, për shkak se predha që iu hoq nga trupi në Turqi ishte e dëmtuar.

Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.

Ndërkohë në korrik të 2024-ës Prokuroria e Tiranës i dërgoi dosjen e ‘21 Janarit’ Prokurorisë së Posaçme.

Më herët SPAK-u regjistroi çështjen në fjalë, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë, duke ia kaluar çështjen në fjalë Prokopisë së Posaçme.

Të parët që u morën në pyetje nga SPAK ishte bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, dhe xhaxhai i tij, Mark Nika.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 3 vepra penale për 21 janarin: shpërdorim i detyrës, “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

SPAK sqaroi aso kohe se ka nisur hetimet pas vendimit urdhërues të Gjykatës së Lartë, si edhe vendimit të Strasburgut. Procedimi penal është regjistruar më datë 15 korrik 2024 për 3 vepra penale që dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, dhe jo vrasje nga pakujdesia siç prokuroria e Tiranës i cilësoi. SPAK i akuzon për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

© Panorama.al

Te lidhura