Dosja ‘AKSHI’, Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrot për Mirlinda Karçanajn dhe Ermal Beqirin! Liron vetëm 1 nga pasuritë e Ergys Agasit! Ja vendimi për të tjerët

Jun 2, 2026 | 15:41

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka ndryshuar pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë lidhur me vendosjen e sekuestrove preventive për disa pasuri të të pandehurve të dosjes së AKSHI-t, përfshirë ish drejtueses Mirlinda Karçanaj, dhe dy biznesmenëve që janë ende në kërkim Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

ergys-agasi-ermal-beqiri-mirlinda-karcanaj

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi sekuestrot për pasuritë e Mirlinda Karçanajt dhe Ermal Beqirit. Po ashtu, gjykata ka hequr sekuestron për një apartament të Ergys Agasit, por pjesa tjetër e pasurive të tij të sekuestruara mbeten të bllokuara.

Ndërkohë, Apeli ndryshoi pjesërisht masën e sekuestros për Gëzim Hoxhën, Andis Papën dhe Elision Jorgjin. Trupa gjykuese rrëzoi disa prej kërkesave për sekuestrimin e aseteve të lidhura me këta persona, duke urdhëruar zhbllokimin e pasurive me vlerë mbi 729 milionë lekë në total.

Konkretisht, gjykata ka urdhëruar heqjen e sekuestros për asete në vlerën e mbi 123 milionë lekëve, 410 milionë lekëve, 94 milionë lekëve dhe 100 milionë lekëve, të cilat ishin sekuestruar më herët.

Pasuritë që u sekuestruan për dosjen AKSHI

SPAK sekuestroi pasuri me vlerë me 40 milionë euro në Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Andis Papës dhe Erion Ismailit. Karçanajt iu sekuestrua një apartament dhe një pronë në Tiranë, një pasuri në Qerret, një ullishte në Sauk, një makinë Volksëagen Tiguan dhe disa llogari bankare.

Ergys Agasit iu sekuestruan dhjetëra pasuri, përfshirë vila dhe prona në Petrelë, Lundër, Durrës dhe Vlorë, apartamente, garazhe, troje, tokë arë dhe pyje me mijëra metra katrorë. Po ashtu iu bllokua një automjet Land Rover Defender 2023, kompania “E.A.S” dhe disa llogari bankare në banka të ndryshme.

Ermal Beqirit SPAK i sekuestroi troje në Green Coast dhe Tiranë, vila në Rolling Hills, apartament në Golem, një jaht me emrin “Skyfall”, dy kompani private, automjete dhe llogari bankare në emër të tij dhe subjekteve të lidhura.

Ndërkohë, ndaj Andis Papës janë sekuestruar mbi 505 milionë lekë në dy kompani të ndryshme, ndërsa ndaj Erion Ismailit është sekuestruar një shumë prej rreth 100 milionë lekësh në subjektin “A”.

Njoftimi i plote i gjykates:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr. 20 akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”: “Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, vendosi:

  1. Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.
  2. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
  3. Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.
  4. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
  5. Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.
  6. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
  7. Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***” në emër dhe për llogari të Z. E.A.
  8. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues *** sh.p.k.
  9. Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  10. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
  11. Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

vendimi karcanaj gjkkovendimi karcanaj gjkko1

© Panorama.al

Te lidhura