Skuadra e Borusias së Dortmundit beson te mrekullia në sfidën e fundit të Grupit F. Me një fitore dhe një barazim, kampionët e Gjermanisë renditen në vend të fundit në grup me katër pikë, por teksa Arsenali është i kualifikuar, dy skuadrat e tjera si Olimpiakosi dhe Marseja janë në luftë për vendin e dytë. Ndeshja e 6-të dhe e fundit do përcaktojë dhe ekipin e dytë kualifikues. Kështu, ekipi i Dortmundit do presë në shtëpi francezët e Marsejës, ndaj të cilëve duhet të fitojnë me diferencë katër gola, pasi ndeshjen e parë e humbën 0-3 në Francë. “Gjithçka është e mundur. Nëse do arrijmë të shënojmë të paktën një gol në pjesën e parë, atëherë jam i bindur se çdo gjë mund të flasë në favorin tonë”,- deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Dortmundit, Hans-Joahim Vacke. Ndërsa trajneri i kampionëve të Gjermanisë, Jurgen Klop, ka marrë një pozicion strategjik, duke folur vetëm mbi skemën, por i thur elozhe dhe trajnerit të Arsenalit, Venger. “Na pret një sfidë e madhe. Asgjë nuk është e pamundur, pasi një gjë e tillë ka ndodhur. E kemi vetë në dorë. Duhet të shfrytëzojmë çdo mjet për të fundosur Marsejën. Ajo humbje ishte fatale për ne, por jam i sigurt se me masat e marra do i përmbysim. Shpresoj që edhe trajneri Arsen Venger të bëjë të njëjtën gjë në Piré”,- parashikoi kreu i pankinës së klubit gjerman, Klop. Por homologu i tij, Didier Deshamp, nuk pajtohet me mendimin e trajnerit gjerman. Tekniku francez deklaron se as me barazimin nuk do ishte i kënaqur. “Fitorja 3-0 e shoh që i ka zhgënjyer.











